Live

Reuters për protestën e bizneseve: Kurti s’jep shenja se do të lëshojë pe

15:15 / 29 Maj 2025

Nga Kosova Live

Agjencia e lajmeve Reuters, ka shkruar për protestën e mbajtur sot në Prishtinë nga qindra pronarë biznesesh kundrejt vendimit të daljes në tregun e lirë të energjisë elektrike.

Përderisa janë dhënë detaje për protestën që mbylli hyrjet kryesore të kryeqytetit, Reuters duke iu drejtuar Kosovës, si një nga vendet më të varfra të Evropës, shkruan se vendi prodhon mbi 90% të energjisë së saj nga dy termocentrale të vjetra me qymyr, megjithatë ende varet nga importet, duke vënë në fokus edhe blerjen e energjisë me vlerë 114 milionë euro nga tregu i hapur gjatë vitit të kaluar.

“Vendi varet shumë nga importet për të mbuluar mungesat vjetore. Vitin e kaluar, qeveria bleu energji nga tregu i hapur me vlerë 114 milionë euro për të mbuluar diferencën,” shkruan Reuters.

Tutje, shkruhet se kryeministri Albin Kurti nuk ka dhënë asnjë shenjë të tërheqjes, përkundër pakënaqësive të bizneseve, ndërsa citohet për deklaratën e tij të mbajtur para protestës ku tha se “plotësimi i kërkesës së bizneseve për më shumë kohë nuk e zgjidh problemin, por transferon kostot e energjisë në faturat shtëpiake.”

Në artikull citohet edhe Shaqir Palushi, pronar i kompanisë së pijeve “Frutex”, i cili duke folur për agjencinë ka thënë se fatura vjetore e energjisë për kompaninë e tij do të trefishohet, duke arritur rreth 1.3 milionë euro, sipas ofertave të marra nga furnizues të ndryshëm.

Kujtojmë se rregullatori i energjisë njoftoi në muajin mars se, duke nisur nga 1 qershori, të gjitha kompanitë me më shumë se 50 punonjës ose me një xhiro mbi 10 milionë euro nuk do të përfitojnë më nga subvencionet shtetërore që i bëjnë bërë faturat e energjisë në Kosovë ndër më të ulëtat në Evropë. Sipas rregullatorit, ky hap është pjesë e përkushtimit për “liberalizimin e tregut”, një kusht për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, megjithatë, bizneset kanë protestuar duke thënë se masa do të dëmtojë rëndë bilancet e tyre financiare.

Shpërndaje në

U Kopjua