Live

Reuters: ShBA po dërgon avionë luftarakë në Lindjen e Mesme

19:32 / 17 Qershor 2025

Nga Kosova Live

Ushtria amerikane raportohet se po dislokon më shumë aeroplanë luftarakë në Lindjen e Mesme dhe po zgjat qëndrimin e disa avionëve të tjerë luftarakë, duke forcuar kështu praninë ushtarake të SHBA-së në rajon teksa lufta mes Izraelit dhe Iranit po vazhdon, kanë deklaruar tre zyrtarë amerikanë.

Siç raporton Reuters, njëri nga zyrtarët ka deklaruar se dislokimet përfshijnë avionë luftarakë F-16, F-22 dhe F-35.

Dy zyrtarë amerikanë theksuan se dislokimi i avionëve luftarakë ka një karakter tërësisht mbrojtës, duke sqaruar se këto mjete janë angazhuar më parë për të rrëzuar dronë dhe raketa të lëshuara drejt objektivave ushtarake dhe civile.

Pentagoni ende nuk ka komentuar mbi këto raportime.

Pak më herët, Kryeministri britanik, Keir Starmer,deklaroi se Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, nuk ka deklaruar asgjë që do të sugjeronte se ShBA’ja do të përfshihet në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit.

Shpërndaje në

U Kopjua