Live

“Reuters” shkruan për ndotjen e ajrit në Kosovë dhe vdekjen e një punëtori të KEK-ut nga kanceri

10:57 / 23 Janar 2025

Nga Kosova Live

Obiliq, Kosovë (Reuters) – Për 30 vjet, Shemsi Gara operoi një makinë gjigante mihëse në një minierë thëngjilli në Kosovë, duke ngritur pluhur helmues që ia mbulonte fytyrën dhe hynte në rrugët e tij të frymëmarrjes. Jeta në shtëpi nuk ishte fort më e mirë: termocentralet që i furnizon miniera vazhdimisht nxjerrin tym mbi fshatin e tij.

Gara vdiq të dielën në moshën 55-vjeçare, pasi tre vjet trajtim dështuan që ta frenonin kancerin e tij në mushkëri. Në ditët e fundit, pa mundur që të fliste, ai qëndronte i shtrirë në një divan në shtëpi, thatanik e me dhimbje, përderisa një pajisje e fuste oksigjenin në trupin që po i vyshkej.

“I thoja vazhdimisht se doja ta ndihmoja, por nuk mundja” – tha bashkëshortja Xhejlane, e cila e vajtoi burrin e vet në dhomën e ndejës me miqtë të mërkurën. “Thoshte “Vetëm Zoti e di dhimbjen që e kam.”

Përderisa një pjesë e madhe e botës po bën lëvizje për ta zvogëluar përdorimin e lëndëve fosile, ndotja në shtetet e Ballkanit Perëndimor mbetet e lartë për shkak të ngrohjes së shtëpive, termocentraleve të vjetra me thëngill, veturave të vjetruara dhe mungesës së parave për ta trajtuar problemin.

Qytetet relativisht të vogla si Beogradi e Sarajeva shpesh kanë qenë në krye të listave globale të ndotjes, sipas uebfaqeve që e përcjellin cilësinë e ajrit në mbarë botën.

Kjo ka ndikim të kushtueshëm shëndetësor dhe gjithashtu mund ta rrezikojë mundësinë e shteteve për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, i cili ka standarde më të rrepta rreth lirimit të gazrave.

“Nuk ka burime në rajon për zvogëlimin e ndotjes së ajrit” – tha Mirko Popoviq, drejtor në Institutin Rregullues për Energji të Ripërtëritshme dhe Mjedis në Beograd.

Në BE, gazrat serrë janë pakësuar për rreth 40 për qind nga viti 1990, falë mbështetjes së energjisë së ripërtëritshme, thuhet në një raport të Komisionit Evropian në nëntor.

Shtetet e Ballkanit Perëndimor janë zotuar për t’i zvogëluar gazrat e karbonit, por vështirësitë ekonomike e kanë ngadalësuar progresin.

Kosova, njëra nga shtetet më të varfra në Evropë, siguron më shumë se 90 për qind të energjisë së saj nga thëngjilli. Banka Botërore vlerëson se tranzicioni drejt ekonomisë pa thëngjill do të kushtojë 4,5 miliardë euro.

Smogu

Ndikimi i ndotjes është i qartë në mbarë rajonin, sidomos në dimër.

Smogu i ka vënë një perde Beogradit këtë javë, ndërsa Sarajeva shtrihet në një luginë që veprom si kurth i ndotjes. Cilësia e ajrit në kryeqytetin boshnjak u cilësua si “e rrezikshme” të martën, më e keqja në botë, sipas “IQAir”, që i përcjell nivelet e ndotjes, transmeton nacionale.

Në kryeqytetin Shkup të Maqedonisë së Veriut, banorët me maska shpesh nuk i shohin me ditë malet e mbuluara me borë.

Shkalla e vdekjeve që mund t’i atribuohen ndotjes së mjedisit është relativisht e lartë – 114 për 100 mijë banorë në Bosnjë, ndërsa rreth 100 në Seri dhe në Mal të Zi, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në krahasim me vetëm 45 në Gjermani e 29 në Francë.

Gara u varros të hënën në Obiliq, afër kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës. Nga varret, pjesëmarrësit në varrimin e tij mund ta dëgjonin gulçimën e një shiriti që transporton thëngjill nga miniera drejt termocentraleve.

Mjeku i Garës, Haki Jashari, fajin për kancerin e pacientit tashmë të ndjerë ua la viteve të tij si punëtor në minierën e thëngjillit dhe termocentraleve që e ndotin mjedisin.

Shkalla e rasteve të kancerit u rrit për më shumë se dyfish gjatë dy viteve të fundit, tha Jashari. Sipas tij, ky është rezultat i një gjenerate të shpërfaqur ndaj ndotësve dhe pret që situata të përkeqësohet.

Ministria e Ekonomisë e Kosovës i tha agjencisë “Reuters” se është e përkushtuar për uljen e gazrave dhe se është duke investuar në projekte të energjisë së ripërtëritshme dhe në modernizimin e termocentraleve ekzistuese.

Jashari vetëm do të donte që më shumë të bëhej në këtë drejtim për një kohë më të shkurtër.

“Ata do t’i kishin mbyllur termocentralet, nëse do të ishim pjesë e BE-së. Kjo është e papranueshme” – tha mjeku.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...