Policia e Tiranës ka parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale brenda një familjeje në fshatin Kus, ku një 45-vjeçar dhunoi bashkëshorten dhe fëmijët e mitur, si dhe rrezikoi jetën e efektivëve të Policisë duke shtënë me armë zjarri, shkruan Gazeta Sinjali.
Në njoftimin zyrtar thuhet:
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 në bashkëpunim me Forcën e Posaçme ‘Shqiponja’, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Kus, një shtetas po dhunonte bashkëshorten dhe fëmijët e tyre dhe posedonte armë zjarri, kanë organizuar menjëherë punën për kapjen e këtij shtetasi, me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të situatës.
Mbrëmë, rreth orës 23:00, në kuadër të operacionit ‘Forest’, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në banesën e shtetasit L. A., i cili në momentin që ka parë punonjësit e Policisë, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre dhe më pas, duke përfituar nga errësira dhe nga terreni, është larguar në drejtim të një zone të pyllëzuar. Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të tij dhe pas gati 2 orë kërkimesh në pyll, kanë bërë të mundur neutralizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasit L. A., 45 vjeç.”
Policia ka sekuestruar armën e zjarrit kallashnikov me fishek në fole dhe një thikë që autori i mbante me vete pa leje.