Mijëra palestinezë të zhvendosur në Khan Younis në jug të Rripit të Gazës përballen çdo ditë me rrezikun tejet të lartë duke kaluar “Rrugën e Vdekjes” për të marrë pako ushqimore, nën rrethimin e vazhdueshëm izraelit dhe një krizë humanitare të thellë, raporton Anadolu.
Civilë, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar, ecin në këmbë distanca të gjata, ndërsa përballen me sulme nga snajperët dhe avionët izraelitë. Vetëm dje, të paktën shtatë persona u vranë nga forcat izraelite pranë qytetit Rafah, ndërsa dhjetë të tjerë u plagosën gjatë një sulmi ndaj një pike shpërndarjeje ndihmash pranë korridorit Netzarim.
Që nga 27 maji, Izraeli dhe SHBA kanë ngritur një sistem shpërndarjeje ndihmash të veçanta, të pavarura nga OKB-ja, që është kritikuar si “kurth vdekjeprurës” për shkak të sulmeve të përsëritura ndaj civilëve që kërkojnë ushqim dhe ndihma.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza raporton se mbi 549 palestinezë janë vrarë dhe mbi 4,000 të tjerë janë plagosur gjatë përpjekjeve për të marrë ndihmë.
Ushtria izraelite ka refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim dhe vazhdon ofensivën që nga tetori 2023, me mbi 56,400 palestinezë të vrarë, shumica gra dhe fëmijë.
Ndërkohë, Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar urdhërarrest ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza. Izraeli po përballet edhe me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.