Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në përmbyllje të Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), deklaroi se Deklarata e Tiranës nuk u miratua nga të gjitha shtetet pjesëmarrëse.
Sipas tij, Serbia dhe Bosnje Hercegovina nuk e votuan dokumentin përfundimtar.
“Deklarata e përbashkët ishte dokumenti i Tiranës dhe u votua nga shumica e vendeve anëtare të SEECP-së. Serbia dhe Bosnja vendosën të mos e miratojnë, çka është e drejta e tyre sovrane. Megjithatë, me Kosovën ramë dakord për një deklaratë shtesë, ku u theksua se sanksionet e vendosura ndaj saj janë të padrejta dhe duhet të zgjidhen sa më parë, pasi nuk ndëshkojnë politikanët, por qytetarët e Kosovës”, u shpreh Presidenti Begaj, raporton euronews.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit rajonal përballë sfidave globale:
“Çfarëdo që ndodh sot në botë, është një rrezik edhe për rajonin tonë,” tha presidenti.
Samiti i SEECP-së u mbajt këtë të hënë në Tiranë, nën drejtimin e Presidentit Begaj, me pjesëmarrjen e liderëve të rajonit. Në përfundim, ishte planifikuar firmosja e deklaratës para fotos zyrtare të liderëve, por kjo nuk ndodhi.