Kosova shënoi rënien më të madhe në 15 vjetët e fundit në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit, të publikuar nga organizata ndërkombëtare “Reporterët pa Kufij”.
Këtë vit, vendi është renditur në pozitën e 99-të nga gjithsej 180 shtete, duke rënë për 24 vende në krahasim me vitin e kaluar.
Lidhur me këtë renditje, nuk është befasuar shumë kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, transmeton Klankosova.tv.
Për “Edicioni Special”, ai tha se ‘nuk është befasi e madhe, në kuptimin që askush, të paktën ne që merremi me këtë punë, nuk presim përmirësim të renditjes së Kosovës’.
“Skandaloze është për Kosovën, raporti është alarmues, shokues. Personalisht nuk e kam pritur këtë rënie kaq të madhe, pas 19 vendeve të rënies së vitit të kaluar, edhe 24 vende sivjet, 43 vende dallim, është një rënie dramatike, e paparë për ndonjë shtet, qyteti i dytë me rënien më të madhe”.
“Por nuk është befasi e madhe, në kuptimin që askush, të paktën ne që merremi me këtë punë, nuk presim përmirësim të renditjes së Kosovës. Prisnim përkeqësim, por jo kaq të madh, për shkak të ndodhive të këtij viti. Qeveria e udhëhequr nga zoti Kurti dhe nga Vetëvendosja nuk janë ndalur asnjëherë për të punuar aktivisht kundër mediave, dhe këtë e kanë dëshmuar me veprime të shumta”, u shpreh ai.