Administrata Trump po kërkon që vendet evropiane anëtare të NATO-s dhe Kanadaja të paraqesin këtë javë plane konkrete për të rritur investimet në mbrojtje deri në 5% të bruto produktit vendor (BVP), një rritje që do të përbënte nivelin më të lartë ndonjëherë në historinë e aleancës.
Këtë kërkesë e bëri publike ambasadori i ri amerikan në NATO, Matthew Whitaker, i cili deklaroi të martën: “5% është shifra jonë. Po kërkojmë nga aleatët tanë të investojnë në mbrojtje siç duhet, siç e meritojnë”, raporton AP NEWS, transmeton Klankosova.tv.
Aktualisht, vetëm 22 nga 32 vendet anëtare të NATO-s kanë përmbushur objektivin e mëparshëm prej 2% të BVP-së për buxhetin e mbrojtjes, një angazhim i vendosur vitin e kaluar në përgjigje të luftës së Rusisë në Ukrainë.
Megjithatë, presidenti Donald Trump ka shtuar presionin, duke kërcënuar se SHBA mund të mos mbrojë vendet që nuk investojnë mjaftueshëm në sigurinë e përbashkët. “Ky ministerial nuk do të jetë si të tjerët. 5% nuk është vetëm një numër, është një domosdoshmëri”, theksoi Whitaker para takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s në Antalya të Turqisë.
Ndërkohë, disa vende kanë shprehur shqetësim për afrimin e Trump me presidentin rus Vladimir Putin, ndërsa në Evropë po diskutohet një propozim më fleksibil, 3.5% për shpenzime të drejtpërdrejta ushtarake dhe 1.5% për infrastrukturë, siguri kibernetike dhe fusha të tjera të lidhura me mbrojtjen, deri në vitin 2032.
Liderët e NATO-s pritet të diskutojnë dhe vendosin për objektivin e ri në samitin e ardhshëm më 25 qershor në Hagë.