Live

Sheholli kritikon ashpër Qeverinë, mos u frikësoni, bëjeni publik planin franko-gjerman!

14:23 / 24 Janar 2023

Nga Kosova Live

nga Kosova Live

Drejtuesi i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli, për Kosovalive.net, është shprehur i shqetësuar rreth çështjes së planit franko-gjerman pasi sipas tij qeveritarët planin po e mbajnë të “fshehur”.

“Ajo që duhet ta themi se në Serbi, Vuçiq por edhe Kisha dhe opozita ka filluar të bisedojë rreth planit franko-gjerman, i cili ka marrë diskutim të jashtëzakonshëm në shoqërinë serbe dhe kjo është e mira e asaj që shoqëria serbe po fllon t’a kuptojë gjendjen reale të dokumentit, i cili ka të bëjë me Kosovën dhe Serbinë. Por, ajo që është befasuese është që në Kosovë nuk kemi asnjë lloj diskutimi me këtë çështje” tha Sheholli.

“Ajo që është befasuese është se Kryeministri Kurti, presidentja Osmani e z. Besnik Bislimi, nuk po bashkëbisedojnë me qytetarët që kjo çështje të vendoset në një rrafsh të gjerë shoqërorë. Kjo çështje duhet t’iu sqarohet qytetarëve të Kosovës”, tha ai.

Sipas Shehollit jemi në një situatë konfuze meqë krerët e shtetit po e mbajnë të fshehur këtë plan të rëndësishëm për të ardhmen e të dyja vendeve. Ai thekson se në gjendjen e tashme, fatkeqësisht mediat dhe shoqëria kosovare në përgjithësi po shërbehen më informacione nga Serbia rreth përmbajtjes së këtij plani.

Kritika të forta Sheholli drejtoi kundër krerëve shtetërorë, të cilët për arsye të panjohura sipas tij po e reduktojnë diskutimin mes vete e nëpër ambasada. E kjo po krijon diskutime e pikëpamje spekulative edhe në shoqërinë kosovare e në medie nën trajtimin e kësaj teme me dilema, a është pozitive apo negative kjo rrjedhë e ngjarjeve që kanë të bëjnë me planin franko-gjerman, pohoi ai. Populli i Kosovës duhet t’a dijë se ç’po ndodh, nënvizoi Sheholli duke i risjellë në vëmendje deklaratat kontroverse të vet znj. Osmani, z. Kurti e të z. Bislimi.

“ Jemi dëshmitarë që presidentja Vjosa Osmani planin franko-gjerman e pati quajtur të rremë, e kemi pastaj Bisnik Bislimin, i cili ka thënë se ky doukument i shkon shumë për favor Serbisë dhe e kemi kryeministrin Kurti, i cili thotë se është bazë e mirë dhe e shëndoshë për bisedime”, theksoi Fatmir Sheholli duke kërkuar edhe njëherë nga liderët shtetëror që këtë dokument evropian t’ia paraqesin edhe Kuvendit të Kosovës./Kosovalive.net/

Shpërndaje në

U Kopjua