Live

Shifra shqetësuese nga IPK – Vetëm në muaj qershor pati 208 ankesa ndaj zyrtarëve policor

16:49 / 15 Korrik 2025

Nga Kosova Live

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka publikuar përmbledhjen mujore për muajin qershor 2025, duke nxjerrë në pah numrin e lartë të ankesave dhe shkeljeve të evidentuara ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Sipas raportit zyrtar, gjatë muajit qershor janë pranuar gjithsej 208 ankesa, që përkthehen në një mesatare prej 6.9 ankesash në ditë, ose 52 në javë.

Nga këto ankesa, 136 janë klasifikuar si shkelje disiplinore, të cilat janë përcjellë për trajtim në Drejtorinë për Hetime të Brendshme dhe Verifikim të së Kaluarës brenda vetë Policisë së Kosovës, shkruan Periskopi.

Në kuadër të hetimeve penale, Departamenti i Hetimeve i IPK-së ka pranuar 72 raste të reja për hetim penal, duke reflektuar një dinamikë të shtuar në ndjekjen e shkeljeve më të rënda. Po ashtu, IPK ka lëshuar 10 rekomandime për suspendim të zyrtarëve policorë, të cilët janë larguar përkohësisht nga detyra në interes të hetimeve, si dhe janë arrestuar 7 zyrtarë të dyshuar për veprime të paligjshme.

Përveç hetimeve, Departamenti i Inspektimit në IPK ka zhvilluar një sërë aktivitetesh mbikëqyrëse për të siguruar që strukturat e Policisë së Kosovës të veprojnë në përputhje me ligjet dhe standardet operacionale.

Gjatë muajit qershor janë realizuar inspektime të rregullta dhe të jashtëzakonshme në disa stacione policore.

Në Stacionin Policor të Podujevës dhe SPMK në Gjilan, janë zhvilluar inspektime jashtëzakonshme lidhur me menaxhimin e punësimeve dytësore, që kanë përfunduar me raporte finale.

Kurse sipas IPK-së vlerësimi i reagimit në thirrje të qytetarëve dhe raportimi I aktiviteteve është vlerësuar si i rregullt.

Po ashtu, është në zhvillim një inspektim i jashtëzakonshëm për përdorimin e teknologjisë për matjen e shpejtësisë së lëvizjes.

Sa i përket angazhimit të IPK-së në aspektin ligjor, për muajin maj janë paraqitur: 12 kallëzime penale në Prokurorinë e Shtetit; 3 raporte të veçanta dhe 2 raporte informuese po ashtu të dërguara në Prokurori.

Ndërkohë që janë proceduar 39 raste në Drejtorinë për Hetime të Brendshme (DHB), Drejtorinë për Procedura të Përgjithshme në Policinë e Kosovës (DPP-PK) dhe Arkivin e IPK-së.

Shpërndaje në

U Kopjua