Me rastin e 26-vjetorit të Çlirimit të Kosovës, shkolla fillore “Fehmi Agani” në Turjakë organizoi një program të pasur kulturor-artistik, ku mysafirë nderi ishin veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga fshati Turjakë.
Sipas njoftimit nga ana e kësaj shkolle, ceremonia u zhvillua para nxënësve, prindërve, mësimdhënësve dhe qytetarëve të shumtë turjakas, duke u shndërruar në një ngjarje të veçantë për të nderuar luftëtarët e lirisë. Programi i përgatitur nga mësimdhënësit Rrezarta Zogaj dhe Liridon Morina u realizua me përkushtim dhe emocion, ndërsa theksi u vu tek rëndësia e edukimit patriotik dhe ruajtjes së kujtesës historike, transmeton Klankosova.tv.
Në emër të shkollës, drejtori Agron Zogaj ndau mirënjohje për të gjithë veteranët e UÇK-së të Turjakës, me motivacionin: “Për kontribut të çmuar në luftën për liri dhe dinjitet kombëtar. Nëpërmjet guximit, përkushtimit dhe dashurisë për atdhe, ju u bëtë pjesë e historisë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bartës i vlerave që frymëzojnë brezat e sotëm dhe të ardhshëm. Ju na mundësuat që nxënësit tanë të arsimohen dhe edukohen në paqe.”
Fjalime përshëndetëse mbajtën gjithashtu: Sabit Berisha, drejtor i DKAE-së në Malishevë dhe Habib Zogaj, përfaqësues i veteranëve të UÇK-së – nëndega Turjakë.
Pas përfundimit të programit, për të pranishmit u shtrua një koktej rasti.