Vendimi i Donald Trump për të ulur pjesën më të madhe të fondeve të SHBA-së për ndihmën humanitare të huaj mund të shkaktojë më shumë se 14 milionë vdekje shtesë deri në vitin 2030, sipas një studimi të botuar në revistën mjekësore The Lancet.
Një e treta e atyre që janë në rrezik të vdekjeve të parakohshme janë fëmijë, zbulon studimi.
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, tha në mars se administrata e Presidentit Trump kishte anuluar mbi 80% të të gjitha programeve në Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, ose USAID.
“Për shumë vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme, tronditja që do të rezultonte do të ishte e krahasueshme në shkallë me një pandemi globale ose një konflikt të madh të armatosur”, tha Davide Rasella, i cili është bashkautor i raportit të Lancet.
Shkurtimet e financimit “rrezikojnë të ndalojnë papritur – dhe madje të përmbysin – dy dekada përparimi në shëndetësi midis popullatave të cenueshme”, shtoi Rasella, një studiues në Institutin e Barcelonës për Shëndetin Global, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Raporti vjen ndërsa dhjetëra udhëheqës botërorë po takohen në qytetin spanjoll të Seviljes këtë javë për një konferencë ndihme të udhëhequr nga Kombet e Bashkuara, më e madhja në një dekadë.
Duke parë të dhënat nga 133 vende, ekipi i studiuesve vlerësoi se financimi i USAID kishte parandaluar 91 milion vdekje në vendet në zhvillim midis viteve 2001 dhe 2021.
Ata gjithashtu përdorën modelim për të parashikuar se si shkurtimi i financimit me 83% – shifra e njoftuar nga qeveria amerikane në fillim të këtij viti – mund të ndikojë në normat e vdekshmërisë.
Shkurtimet mund të çojnë në më shumë se 14 milion vdekje të shmangshme deri në vitin 2030, zbuluan parashikimet. Ky numër përfshinte mbi 4.5 milion fëmijë nën moshën pesë vjeç – ose rreth 700,000 vdekje fëmijësh në vit.
Administrata Trump, e udhëhequr më parë nga iniciativa e miliarderit Elon Musk për uljen e kostove, synonte të tkurrte fuqinë punëtore federale. Ajo gjithashtu ka akuzuar USAID-in për mbështetjen e projekteve liberale.