Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin e Napolit mbrëmjen e së mërkurës, ku një shpërthim i fuqishëm është regjistruar në rrugën Via Peppino De Filippo.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se shpërthimi është shkaktuar nga një depo bombolash gazi, e vendosur brenda një dhome të shfrytëzuar nga një restorant lokal.
Si pasojë e shpërthimit, ka humbur jetën një burrë 57-vjeçar, i cili fillimisht ishte raportuar si i zhdukur. Ndërkohë, katër persona të tjerë kanë mbetur të lënduar, mes tyre një grua në gjendje të rëndë shëndetësore.
Shpërthimi ka shkaktuar dëme të mëdha në strukturën e ndërtesës, duke përfshirë dy apartamentet e katit përdhes dhe katit të parë. Autoritetet ndërhynë menjëherë – forcat e zjarrfikësve dhe karabinierët siguruan zonën dhe evakuuan banorët për të shmangur rrezikun e mëtejshëm.
Në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe kryetari i Bashkisë së Napolit, Gaetano Manfredi, i cili shprehu ngushëllimet për familjen e viktimës dhe theksoi nevojën për një hetim të thelluar për të përcaktuar shkaqet dhe përgjegjësitë.