Posedimi i armëve ilegale është konsideruar në vazhdimësi një rrezik potencial për të gjithë, si për qytetarët, po ashtu edhe për institucionet. Policia e Kosovës në vazhdimësi gjatë kontrolleve has në persona, kryesisht të rinj që posedojnë armë dhe sillen lirshëm me to.
Një rast i tillë është zbuluar mbrëmë në rrugën “Skënder Luarasi” në Prishtinë, ku Policia arrestoi një person.
Sinjali ka mësuar se i dyshuari fillimisht ka tentuar që të ikë nga Policia, duke e hedhur një armë zjarri që e posedonte, por më pas është kapur nga zyrtarët policorë.
I dyshuari 24-vjeçar është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e tij për 48 orë dhe inicimin e rastit nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prishtinë.
Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në 7.500 euro ose me burgim deri në pesë vjet.