Një veturë me targa vendore është përfshirë nga zjarri gjatë natës së kaluar në fshatin Muzeqinë të komunës së Shtimes.
Një lexues i Klankosova.tv ka dërguar pamje nga momenti kur vetura po digjej, duke pretenduar se as policia e as zjarrfikësit nuk kishin dalë në vendngjarje për të ndërhyrë.
Mirëpo, këtë pretendim e ka mohuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli. Në një deklaratë për Klankosova.tv, ai ka bërë të ditur se njësitet përkatëse kanë reaguar menjëherë pas pranimit të thirrjes.
Sipas njoftimit zyrtar, rasti ka ndodhur rreth orës 23:44, në rrugën që lidh fshatin Muzeqinë me fshatin Koshare. Vetura, e cila ishte në lëvizje, është përfshirë nga flakët dhe është djegur tërësisht, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Veseli theksoi se njësitë policore dhe ekipi i zjarrfikësve kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërhyrë për shuarjen e zjarrit. Fatmirësisht, në këtë incident nuk është raportuar për persona të lënduar.
Rasti është duke u trajtuar nga njësitë përkatëse hetimore.