Live

“Skandale milionëshe – dikush i fortë është prapa saj”: PDK-ja nis mocion kundër ministres Hajdari

11:46 / 25 Maj 2023

Nga Kosova Live

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala ka paraqitur një mocion në Kuvendin e Kosovës, ku kërkohet të flitet për gjendjen në ministrinë e Industrisë, Ndërmarrjes dhe Tregtisë, që drejtohet nga ministrja Rozeta Hajdari.

Ai kërkoi të nxirret një rezolutë nga Kuvendi i Kosovës për gjendjen në Ministrinë e Industrisë.

Shala tha se nëse kryeministri Albin Kurti nuk reagon për “këto skandale milionëshe”, atëherë theksoi se “dikush shumë i fortë në qeveri po i qëndron mbrapa në mbulimin e këtyre aferave”.

Sipas tij, qeveria Kurti dhe menaxhimi i MINT-it nga ministrja Hajdari ka shënuar dështim dhe skandale të vazhdueshme gjatë këtij mandati, raporton Paparaci.

Projekti 15 milionësh, shkarkimi i shtatë sekretarëve në MINT, keqpërdorimet me rezervat shtetërore dhe ato të vajit, Dubai “Expo 2020”, ekspertët që paguhen një mijë euro në ditë dhe aktakuza ndaj Rozeta Hajdarit, janë disa skandalet që Shala i përmendi në Kuvendin e Kosovës.

“Projekti i Bankës Botorëre në vlerë 15 milionë euro i keqmenaxhuar juridikisht dhe operacionalisht, duke i trajtuar disa biznese e duke i anashkaluar shumë të tjera meritorë duke ridistinikuar dhe keq-menaxhuar këtë projekt”, tha ai.

Ai shtoi se skandali i radhës është skandali i Dubait “Expo 2020” ku siç tha ai, për tetë muaj, artefaktet mbetën në Dubai, ndërsa kabineti qeveritar ishte kthyer.

“Dhe pas tetë muajsh na vinë pa e ditur se si është gjendja e tyre. Pra, një ministre që lë artefaktet më kryesore shtetërore historike origjinali për tetë muaj në Dubai”, tha ai, teksa ka renditur për siç tha vetë Shala, skandalet e këtij dikasteri.

“Emërimi/shkarkimi i shtatë sekretarëve permanent. Një ministri që përbrenda gjysmë mandatit emëron dhe shkarkon shtatë sekretarë, do të duhej të reflektonim të gjithë ne se çka është kjo ministre që operon në këtë formë në mënyrë të paligjshme dhe pa-dinjitetshme”, shtoi Shala.

“Angazhimi i ekspertëve me një mijë euro, për hartimin e strategjsisë së industrisë, 1 mijë euro. Një mijë euro me pasë qenë për NATO-n, 1 mijë euro ditën është shumë dhe lartë. Nënshkrimi i jashtëligjshëm i kontratës për investitorin strategjik. Tashmë është vërtetuar se dokumentacioni final ka qenë i nënshkruar pa garancion bankar dhe pas reagimit tonë, sigurohet një letër që nuk i plotëson as konditat ligjore as faktike. Dhe dëshmon se është jashtëligjshëm investimi dhe nënshkrimi”, vijoi Shala.

“Sot kemi një aferë tjetër të pazbuluar ende, ku 200 mijë litra vaj të kontraktuar në kompanitë perëndimore të një shteti mik, nuk janë ardhur. Pagesa është kryer, por tash e një viti e gjysmë vaji për rezervat shtetërore, nuk po hy më tepër se po e cenoj sekretin e ministres, nuk kanë ardhur në Kosovë. Çka po ndodh me rezervat shtetërore të vajit?”, pyeti Shala.

Mes tjerash, Shala tha se ministrja Hajdari ka dëmtuar jashtëzakonisht imazhin e Kosovës përmes një gazete franceze.

“Keqpërdorim i ligjit dhe rezervat shtetërore nga kjo ministri. Ngritja e aktakuzës për mos-deklarim të pasurisë është shkelja e radhës. Dëmtimi i jashtëzakonshëm i imazhit të Kosovës me gazetën franceze. 50 mijë kopje qarkullojnë në t gjithë globin dhe ministria jonë e ka paguar një diçka që është krejtësisht anti-kushtetues, anti-ligjor dhe anti-historik”.

Shpërndaje në

U Kopjua