Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se sot, më 8 shkurt, në disa shtete të ndryshme të botës ambasadat do të shndërrohen në qendra të votimit, për 20 mijë e 324 shtetas të Kosovës të cilët gjatë regjistrimit kanë zgjedhur këtë mënyrë votimi.
Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së ka deklarua se ata do të mund të votojnë, të shtunën nga ora 07:00 deri në 19:00, sipas kohës lokale të shtetit përkatës.
“Për herë të parë në historinë e shtetit të Kosovës, do të organizohet votimi në përfaqësitë diplomatike, të cilat janë të vendosura në shtete të ndryshme të botës. Pra, procesi i votimit do të zhvillohet në 16 Ambasada dhe 14 Konsullata të Republikës së Kosovës, të vendosura në 19 shtete të ndryshme. Numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar për të votuar në 30 përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës është 20,324 votues”, ka thënë, dje, Elezi.
Ai ka sqaruar se, vetëm votuesit e regjistruar në përfaqësi diplomatike do të mund të votojnë më 8 shkurt 2025, pasi në Listën Votuese e cila është dërguar në përfaqësi diplomatike, janë vetëm emrat e shtetasve që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi kur janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së regjistrimit.
Kujtojmë, se për të votuar jashtë Kosovës janë regjistruar rreth 105.000 shtetas, prej të cilëve 20.324 janë regjistruar për të votuar fizikisht në njërën nga 30 përfaqësitë diplomatike të. Rreth 17.000 shtetas të tjerë janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotime në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.
Ndërsa rreth 60,000 të tjerë për të dërguar pakon me fletëvotime në një nga kutitë postare të KQZ-së të hapura jashtë Kosovës.
Ndryshe, sot fillon edhe shpërndarja e materialit zgjedhor nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve në komunat e Kosovës, respektivisht Qendra Komunale të Numërimit (QKN).
SONDAZH
![Loading ... Loading ...](https://kosovalive.net/wp-content/plugins/wp-polls/images/loading.gif)