Një stuhi e fortë rëre la pjesë të Iranit të mbuluara me një shtresë të trashë pluhuri të martën. Shkollat dhe zyrat mbetën të mbyllura në provincat perëndimore të Khuzestanit, Kermanshah, Ilam dhe Kurdistan, raportoi televizioni shtetëror iranian.
Provincat e Sanxhanit dhe Bushehrit u prekën gjithashtu nga retë e pluhurit që vinin nga Iraku fqinj.
Rreth 13 milionë njerëzve iu këshillua të qëndronin në shtëpi për arsye sigurie, transmeton Klankosova.tv
Në Bushehr, i cili ndodhet pothuajse 1,100 kilometra në jug të Teheranit, indeksi i cilësisë së ajrit ishte 108 të martën. Kjo do të thotë që niveli i ndotjes ishte më shumë se katër herë më i lartë se niveli i rekomanduar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe për këtë arsye ishte i pashëndetshëm, veçanërisht për njerëzit e ndjeshëm, sipas autoriteteve iraniane.
Shërbimi Meteorologjik Iranian tha se ajri i keq u shkaktua nga “lëvizja e një mase të madhe pluhuri nga Iraku drejt Iranit perëndimor”. Në disa zona, dukshmëria ishte e dobët për shkak të pluhurit. Njerëzve iu kërkua të qëndronin në shtëpi nëse është e mundur dhe të mbanin maska mbrojtëse jashtë.