Live

“Subvencionet II”, mbrojtja e njërit nga të akuzuarit kërkon të pajiset me disa prova që i mungojnë

18:39 / 12 Dhjetor 2024

Nga Kosova Live

Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin ‘Subvencionet II’, mbrojtësi i të akuzuarit Rasim Zeka, avokati Kujtim Kërveshi njoftoi se ka kërkuar disa prova, të cilat sipas tij nuk i posedojnë si mbrojtje ani pse siç thotë ai për sigurimin e tyre ka dërguar kërkesë.

“Dosjen e kam marrë nga ish-kolegë të mi dhe jam drejtu me dy kërkesa, një Gjykatës dhe një Prokurorisë Speciale. Fllimisht i jam drejtu prokurorit special dhe kam listuar provat që mungojnë, për provat të cilat Prokuroria është dashur me i zbulu në kohë e që për fatkeqësinë tonë të procedurës, edhe leximi i aktakuzës edhe kundërshtimi i aktakuzës është bë në atë mënyrë që klienti im s’i ka pas ato prova”, tha Kërveshi.

Avokati shtoi se i është drejtuar Gjykatës për prova të cilat kjo e fundit i posedon e që pa të cilat sipas tij e ka pasur vështirë të kuptojë se ku ka mbetur procedura dhe të përgatitet se nga do të vazhdojë e njëjta, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Prokurorisë Speciale i jam drejtuar me shkrim me datën 21 nëntor, akoma nuk jam pajis me këto prova e që nuk e di as arsyen se pse kemi nevojë të vonohemi me kërkesa të ligjshme e të specifikuara, siç kam dhënë shprehimisht në parashtresë”, shtoi Kërveshi.

Sipas Kërveshit, këto prova janë të domosdoshme për të vazhduar procedura.

“Për mbrojtjen është kusht pa të cilin s’bën që prokurori special të na pajis me deklaratën e dy dëshmitarëve bashkëpunues sepse përshkrimi i aktakuzës nuk mjafton për mbrojtjen që të përgatitet për të kuptu narrativën e kësaj Prokurorie në raport me të mbrojturin tim”, shtoi Kërveshi.

Kështu, avokati ka kërkuar që procedimi në shqyrtim gjyqësor të bëhet pas plotësimit të kushteve.

Në anën tjetër, prokurori special Rafet Halimi ka deklaruar se Prokuroria ka ofruar të gjitha provat mbrojtjes së të pandehurit Zeka.

“Prokuroria në çdo kohë ka qenë bashkëpunuese dhe ka ofruar të gjitha provat mbrojtjes së të pandehurit Rasim Zeka, ku ka pasur fillimisht mbrojtësin Emrush Kastrati, pastaj më vonë edhe Sylë Hoxha dhe që të dy janë pajisur me gjitha shkresat e lëndës në vitin 2023…”, ka shtuar prokurori.

Halimi ka thënë para gjykatës se Prokuroria ka kryer obligimin e saj ligjor, ndërkaq sipas tij është obligim i mbrojtjes që kur ndërrohet, avokati që e dorëzon autorizimin ta pajis avokatin e autorizuar me të gjitha shkresat.

“Dhe Prokuroria konsideron që e ka kryer obligimin e tij ligjor dhe është përgjegjësi e mbrojtjes që në momentin që e dorëzon autorizimin ta pajis avokatin tjetër me shkresat e lëndës”, tha mes tjerash Halimi.

Pas kësaj, trupi gjykues, i përbërë nga kryetari Ngadhnjim Arrni ka marrë aktvendim për ta ndërprerë seancën dhe e njëjta të vazhdojë një datë tjetër, në mënyrë që t’i mundësohet mbrojtje efektive të pandehurit Zeka.

Po ashtu, para mbylljes së seancës, palët janë pyetur në lidhje me procedimin në këtë shqyrtim gjyqësor që të përcaktohet agjenda e përfundimit të këtij shqyrtimi.

Pas marrjes së mendimit të mbrojtësve të të akuzuarve, këta të fundit kanë kërkuar kohë në lidhje me vendosjen se cilët dëshmitarë duan të dëgjohen sërish, e për cilët deklaratat të lexohen, kjo me qëllim të ekonomizimit të procedurës.

Lidhur me këtë, mbrojtja kanë specifikuar disa dëshmitarë që duan të dëgjohen, mirëpo kanë kërkuar kohë që të konsultohen dhe më pas të vendosin se kë duan të dëgjojnë e kujt t’i lexohen deklaratat me qëllim ekonomizimi të procedurës.

Trupi gjykues për këtë çështje ka marë aktvendim duke e caktuar vazhdimin e shqyrtimit për një datë tjetër dhe i ka dhënë mbrojtjes kohë që në afat prej tri javësh të njoftojë Gjykatën me parashtresë se cilët dëshmitarë propozojnë të dëgjohen në këtë shqyrtim gjyqësor.

Ndryshe, në këtë çështje penale aktakuza ishte ngritur kundër 15 të akuzuarve me 20 pika akuzuese, mirëpo në shqyrtimin fillestar 10 prej tyre kishin pranuar fajësinë dhe ndaj tyre ishte veçuar procedura penale.

Në këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka nxjerrë dy aktgjykime të ndara, ku janë dënuar 10 nga të akuzuarit.

Më 15 mars 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj gjashtë të akuzuarve Blerim Mulliqi, Bekim Bruçi, Dukagjin Deda, Sadri Berisha, Pashk Krasniqi dhe Ramadan Zeqiraj, të akuzuar për veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Ushtrim ndikimi”, “Dhënie ryshfeti” dhe “Mashtrim me subvencione”, në rastin “Subvencionet II”, duke i dënuar (së bashku) me 4 vite burgim dhe 10 mijë euro gjobë.

Ndërsa, më 23 qershor 2023, kjo Gjykatë kishte shpallur aktgjykim dënues edhe ndaj të akuzuarve Gëzim Morina, Afrim Mehmetaj, Donard Draga dhe Hysni Morina për veprat penale “Dhënia ryshfeti” dhe “Mashtrim me subvencione”, ku janë dënuar me 27 muaj burgim dhe 19 mijë euro gjobë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së 22 dhjetorit 2022, 15 të akuzuarit në rastin “Subvencionet II”, Luan Statovci, Blerim Mulliqi, Bekim Bruçi, Sedat Shkodra, Berat Nika, Gëzim Morina, Rasim Zekaj, Afrim Mehmetaj, Donard Draga, Dukagjin Deda, Ramdan Zeqiraj, Hazir Metaj, Sadri Berisha, Hysni Morina, dhe Pashk Krasniqi, ngarkohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti, mashtrim me subvencione dhe ushtrim ndikimi.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...