Sulmet ajrore izraelite gjatë natës kanë lënë të vrarë gjashtë anëtarë të një familjeje dhe një zëdhënës të Hamasit në Rripin e Gazës.
Një nga sulmet goditi një tendë në zonën e Xhabalias, ku po qëndronte Abdel-Latif al-Qanoua, zyrtar i Hamasit, i cili humbi jetën në vend. Ndërkohë, një tjetër sulm në afërsi të Qytetit të Gazës shkaktoi vdekjen e katër fëmijëve dhe prindërve të tyre, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në enklavë.
Izraeli ka intensifikuar ofensivën kundër Hamasit pas përfundimit të armëpushimit, duke paralajmëruar përshkallëzim të mëtejshëm nëse grupi palestinez nuk liron pengjet dhe nuk çarmatoset.
Në anën tjetër, Hamasi ka bërë të ditur se do të lirojë 59 pengje të mbetura vetëm në këmbim të një armëpushimi të qëndrueshëm dhe tërheqjes së Izraelit nga Gaza.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza ka raportuar se numri i të vrarëve palestinezë ka tejkaluar shifrën e 50.000 që nga fillimi i luftës.