Live

Supremja e shpall të paligjshëm udhëzimin e Ministrisë së Financave për pajisjet fiskale elektronike

13:53 / 15 Korrik 2025

Nga Kosova Live

Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur të shfuqizojë si të paligjshëm Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), që ka të bëjë me përdorimin e pajisjeve elektronike fiskale, sistemeve fiskale dhe softuerëve elektronikë fiskalë.

Në vendimin e saj, Gjykata ka aprovuar kërkesëpadinë e paditësve, të cilët kishin kontestuar Udhëzimin Administrativ nr.01/2025 “Për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale, Sistemeve Fiskale dhe Softuerëve Elektronikë Fiskalë”, të publikuar në Gazetën Zyrtare më 16 prill 2025.

Sipas aktgjykimit, Gjykata Supreme e ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar në tërësi këtë udhëzim administrativ të Ministrisë së Financave, duke konstatuar se nuk qëndron në bazë juridike dhe se ka qenë në kundërshtim me normat ligjore.

Ndërkaq, është refuzuar kërkesa e paditësve për caktimin e një mase të përkohshme të sigurisë për ndalim të zbatimit të udhëzimit deri në një vendim përfundimtar, me arsyetimin se vendimi meriton shqyrtim të plotë përmes kërkesëpadisë dhe jo përmes masës së përkohshme.

Sipas padisë, ky udhëzim nuk ishte nënshkruar nga ministri përkatës, nuk kishte kaluar përmes procedurave të konsultimit publik, nuk ishte zhvilluar sipas ligjit për aktet nënligjore dhe publikimi i tij në Gazetën Zyrtare ishte bërë në mënyrë të pavlefshme, duke e bërë atë juridikisht joefektiv.

Paditësit pretenduan se udhëzimi i kontestuar cenonte të drejtat e tyre të ligjshme dhe se kishte ndikim të drejtpërdrejtë në licencat që ata mbanin për ofrim të pajisjeve fiskale elektronike, të cilat ishin të vlefshme deri në vitin 2028. Ata theksuan se ndryshimet e bëra përmes këtij udhëzimi i vendosnin në rrezik për humbje kontratash, investimesh dhe sistemi tërësor të funksionimit me klientë.

Gjithashtu, sipas argumentimit në padi, udhëzimi binte ndesh me parimet e Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, si: barazia tatimore, transparenca, parimi i ligjshmërisë dhe parimi i mosdiskriminimit.

Gjykata Supreme, në arsyetimin e saj, konstatoi se Udhëzimi Administrativ është nxjerrë pa respektuar procedurën e detyrueshme ligjore të përcaktuar me Ligjin për Qeverinë dhe Ligjin për Aktet Nënligjore, përfshirë mungesën e nënshkrimit nga ministri dhe mospërfshirjen e konsultimeve publike.

Ajo sqaroi se vetëm Qeveria dhe ministri kanë të drejtë ligjore për nxjerrjen e udhëzimeve administrative, sipas procedurës që parashikon përgatitjen e draftit, dërgimin në Qeveri, miratimin dhe pastaj publikimin në Gazetën Zyrtare.

Shpërndaje në

U Kopjua