Live

Sylejman Selimi: Adem Jashari ka qenë kryesori, s’ka marrë urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm

12:34 / 13 Shkurt 2025

Nga Kosova Live

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, Sylejman Selimi tha se Adem Jashari ka qenë kryesori në UÇK dhe se ai nuk ka marrë urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm.

“Nuk ka marrë urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm por ka dhënë urdhra ose u konsultu me Shtabin e Përgjithshëm me njerëzit që i ka njohur”, tha fillimisht dëshmitari.

Sylejman Selimi shpjegoi se Adem Jashari ka pasur lidhje me Shtabin e Përgjithshëm e po ashtu edhe me persona të tjerë nëpër vende të ndryshme.

“Ai vazhdimisht e ka pas lidhjen me Shtabin e Përgjithshëm. Shtabi i Përgjithshëm gjithmonë ka kontaktuar me të. Ademi ka qenë figura kryesore e ushtrisë…Normal në këtë kohë ka pasur edhe nëpër vende të ndryshme si Dukagjini edhe Llap por nuk kam mujtë me i njoftë tanë në këtë periudhë. Anëtarët e shtabit i kanë pasur të gjithë anëtarët e vetë në të gjitha zonat”, tha dëshmitari.

Gjyqtari i tha dëshmitarit se javën e kaluar ka thënë për ZPS-në se Adem Jashari ka marrë urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm. Madje, dëshmitarit iu prezantua edhe një deklaratë që e kishte dhënë lidhur me këtë çështje për Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

“Çdo gjë që është bërë është bërë me plan të Shtabit të Përgjithshëm… Njëkohësisht edhe në zonat tjera kanë vepruar me të njëjtin plan nga Shtabin e Përgjithshëm. Çdo gjë ka qenë e organizuar nga Shtabi i Përgjithshëm”, kishte thënë dëshmitari për TPNJ-në.

Si rrjedhojë, dëshmitari deklaroi se ai e ka shpjegua se si ka shkua procesi, por sipas tij Adem Jashari ka qenë kryesori në UÇK.

“Unë e kam spjeu si ka shku por Adem Jashari ka qenë kryesor, organizimin nëpër…”, tha dëshmitari para se të iu nderprehet fjala nga gjyqtari.

“Jo jo, dëshmitar nuk po iu pyes këtë. Ju e dëgjua vetë tani se kur thatë se kush i jepte urdhra kujt”, tha gjyqtari Mettraux.

Megjithatë, dëshmitari insistoi në qëndrimin e tij se Adem Jashari ka qenë kryesori në UÇK.

“Unë çdo herë mund të hem që kryesor në UÇK ka qenë Adem Jashari. Unë e kam spjegu se si unë kam mëndu dhe si u organizu Shtabi i Përgjithshëm nga mendimi jem, por duke e ditë që unë nuk kam qenë anëtarë i Shtabit të Përgjithshëm unë i kam jep ato mendimet e mija”, tha dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sylejman Selimi tha se pa Adem Jasharin nuk do të kishte UÇK.

Nuk besoj që kam thanë që Adem Jashari ka marrë urdhra. Adem Jashari s’ka marrë urdhra por ka jep urdhra. Adem Jashari ka qenë komandant kryesor. Pa Adem Jasharin s’kishte me pas as UÇK.

Gjatë kohës sa ka qenë komandant i përgjithshëm i UÇK-së, dëshmitari mohoi se i ka raportuar dikujt. Ndërsa tha se nuk ka pasur personel në Shtabin e Përgjithshëm.

“Kurrfarë personeli s’ka pas në sh të p kur kam shku. Kanë qenë këta individ por kur jam kthy kam qenë me njerëzit e mi prap”, tha ai.

Ndërsa, kur u pyet se a u takua me ndonjërin prej anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së sa ka qenë komandant, dëshmitari tha se nuk i kujtohet.

“Përveç se me Bislim Zyrapin nuk e di që kam pasur kontakte”, tha ai.

“Sa me kujtohet s’kam pas kontakte”, tha dëshmitari kur u pyet se a ka pasur ndonjë kontakt me drejtorin e sektorit të Policisë ushtarake, ose me atë të Zbulim-kundërzbulimit.

Ai mohoi se i kujtohet që ka lëshuar ndonjë komunikatë si komandant i përgjithshëm i UÇK-së.

Gjithashtu ai u përgjigj me ‘e saktë’ që nuk i ka raportuar asnjëherë Qeverisë së Përkohshme të Kosovës sa ishte komandant i përgjithshëm i UÇK-së.

Shpërndaje në

U Kopjua