Shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri ka komentuar deklaratat e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, rreth shkeljes së hapësirës ajrore të Estonisë nga Rusia.
Përmes një postimi në Facebook, Tahiri thotë se “kryeministri i izoluar Kurti”, sot ka filluar të shqetësohet për veprimet e Rusisë, ndërsa Kosovën e ka vendosur vet në anën e saj, transmeton Klankosova.tv.
Ndër të tjera, ai përmendi tri shtetet në të gjithë kontinentin evropian që janë nën sanksione nga BE dhe ShBA, e që janë Kosova, Rusia dhe Bjellorusia.
Lidhur me këtë, deputeti thotë se Kurti ka dy vjet që e mban Kosovën nën sanksione.
“Në të gjithë kontinentin evropian sot vetëm tri shtete janë nën sanksione nga BE dhe SHBA: Kosova e qeverisur nga Kurti, Rusia e qeverisur nga Putini dhe Bjellorusia e qeverisur nga Lukashenko. Megjithatë, kryeministri i izoluar Kurti sot ka filluar të shqetësohet për veprimet e Rusisë, ndërsa Kosovën e ka vendosur vetë në anën e saj”, ka shkruar politikani.
“Albin Kurti, që prej dy vitesh e ka mbajtur Kosovën nën sanksione, sot flet për shkeljet e hapësirës ajrore të Estonisë nga Rusia. 600 milionë euro të BE-së kanë mbetur të pashfrytëzuara për shkak të sanksioneve. SHBA ka pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën, për shkak të dëmeve që i ka shkaktuar Qeveria Kurti”.