Live

Të dënuarit e Speciales, burgun mund ta vuajnë edhe në Belgjikë

15:33 / 13 Qershor 2025

Nga Kosova Live

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) dhe Mbretëria e Belgjikës, të enjten (12 qershor) nënshkruan zyrtarisht Marrëveshjen mbi Zbatimin e Dënimeve.

Sipas kësaj marrëveshjeje, personat e dënuar nga DhSK-ja mund ta kryejnë dënimin me burgim në Belgjikë, në varësi të kushteve që cakton DhSK-ja dhe miratimit të Belgjikës.

Siç thuhet në njoftimin e kësaj gjykate, kryetarja e saj Ekaterina Trendafilova nënvizoi se zbatimi i dënimit është thelbësor për një sistem gjithëpërfshirës dhe efektiv të drejtësisë penale ndërkombëtare.

“Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Mbretëria e Belgjikës riafirmon përkushtimin e fuqishëm të saj ndaj drejtësisë penale ndërkombëtare dhe aftësinë e DhSK-së për të kryer mandatin e vet”, citohet të ketë thënë Trendafilova.

Ajo thuhet se ka ftuar edhe shtetet e tjera të ndjekin shembullin e Belgjikës në fuqizimin e kornizës së DhSK-së për zbatimin e dënimeve përmes arritjes së marrëveshjeve të ngjashme.

Ndërkaq, Shefi i Autoritetit Qendror të Belgjikës, Zherar Div, citohet të ketë deklaruar se me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, “dëshirojmë të shprehim mbështetjen e Belgjikës ndaj DhSK-së dhe drejtësisë ndërkombëtare në tërësi”.

“Me këtë marrëveshje, Belgjika tregon angazhimin e vet të palëkundur ndaj funksionimit të plotë të DHSK-së, sipas marrëveshjes midis BE-së dhe Kosovës”, citohet të ketë thënë Div.

Marrëveshjen e nënshkruan Administratorja e DhSK-së, Fidelma Donlon, dhe Zherar Div, shef i Autoritetit Qendror për Bashkëpunim me Gjykatat Penale Ndërkombëtare, në Ministrinë e Drejtësisë së Belgjikës në Bruksel.

Në njoftim u tha se në pajtim me Shkëmbimin e Letrave të vitit 2014 midis Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë dhe Presidentes së Kosovës, dhe nenin 162 të Kushtetutës së Kosovës, dënimet e formës së prerë kryhen jashtë Kosovës. 

Shpërndaje në

U Kopjua