Live

“Të ndalet trajtimi poshtërues i krerëve të UÇK-së në Hagë”- Reagon OVL-UÇK pas zhvillimeve në Hagë

17:13 / 05 Qershor 2025

Nga Kosova Live

Organizata e Veteranëve të Luftës ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Përmes një postimi në Facebook, OVL-UÇK ka reaguar lidhur me refuzimin e krerëve të UÇK-së për takim me Avokatin e Popullit të Speciales, dhe për shqetësimet për takimet me avokatë.

OVL-UÇK ka kërkuar që të ndalet trajtimi poshtërues ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Postimi:

REAGIM

OVL UÇK ,shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me zhvillimet e fundit në Dhomat e Specializuara në Hagë, që përfshijnë trajtimin e padrejtë dhe poshtërues ndaj ish krerëve të UÇK-së të cilët po mbahen në paraburgim.

Refuzimi i vizitës së Avokatit të Popullit nga z. Hashim Thaçi, z. Kadri Veseli, z. Rexhep Selimi dhe z. Jakup Krasniqi, pasqyron qartë nivelin e zhgënjimit dhe mospërfilljes që kanë përjetuar ata ndaj një institucioni që në teori duhet të mbrojë të drejtat e tyre, por që ka zgjedhur të heshtë përballë shkeljeve të rënda që po ndodhin. Qëndrimi i tyre është një mesazh i fuqishëm se kjo gjendje nuk mund të normalizohet dhe as të justifikohet.

Për më tepër, kufizimet ekstreme në takimet me avokatët dhe ndërhyrjet arbitrare në përgatitjen e mbrojtjes ligjore përbëjnë cenim të drejtave themelore të njeriut dhe shkelje të rënda të së drejtës për një proces të drejtë gjyqësor. Siç është raportuar në media, takimet po organizohen në mënyrë të papritur dhe në kushte të papërshtatshme, duke penguar seriozisht funksionimin efektiv të mbrojtjes.

Këto shqetësime i ka ngritur edhe Avokati i Popullit i Kosovës, i cili ka deklaruar publikisht se mbajtja e gjatë në paraburgim dhe mungesa e vendimeve të drejta për lirimin e përkohshëm bien ndesh me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe e përbëjnë trajtim jo të dinjitetshëm.

OVL-UÇK bën thirrje që:

  1. Të përfundojë menjëherë trajtimi çnjerëzor dhe poshtërues i të paraburgosurve.
  2. Të garantohen pa vonesë të gjitha të drejtat e tyre, përfshirë qasjen e plotë dhe të pandërprerë në mbrojtje ligjore.
  3. Avokati i Popullit i Dhomave të Specializuara të mbajë qëndrim publik ndaj shkeljeve dhe të mos bëhet palë në heshtje me një sistem të padrejtë.
  4. Të bëhet rishikim i menjëhershëm i kushteve të paraburgimit dhe të shqyrtohet seriozisht mundësia e lirimit të përkohshëm të tyre.

Luftëtarët e UÇK-së nuk kanë luftuar për drejtësi të njëanshme, për paraburgime pa fund dhe për t’u poshtëruar në emër të një drejtësie që hesht përballë padrejtësisë.

Drejtësia e vërtetë fillon me respektimin e dinjitetit njerëzor.

Shpërndaje në

U Kopjua