Live

Të premten në Ulqin hapet Panairi i 19-të i Librit

08:22 / 25 Korrik 2019

Nga Kosova Live

Të premten në Ulqin hapet Panairi i 19-të i Librit – tashmë me një traditë të mirë  në hapësirën kulturore shqiptare. Në ceremoninë e hapjes, në shëtitoren e plazhit të vogël, si të ftuar nderi pritet të marrin pjesë edhe dy shkrimtarë të njohur në nivel ballkanik e më gjerë: shkrimtari shqiptar Fatos Kongoli dhe shkrimtari malazez, Balsha Bërkoviq.

Rreth 50 shtëpi botuese nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Bosnja Hercegovina do të marrin pjesë në këtë panair. Sipas një njoftimi nga organizatori ky edicion i panairit do t’i ndajë dy çmime kryesore: 

Çmimin për veprën më të mirë në prozë mes dy panaireve dhe ekspozuar në Panair  “Liburnia” dhe Çmimin për veprën më të mirë për fëmijë botuar mes dy panaireve dhe ekspozuar në këtë Panair “Dega e ullirit”.

Panairi i Librit në Ulqin tanimë është një nga aktivitetet kulturore-turistike më të konsoliduara në rajon, që i ka shërbyer dhe i shërben më së miri komunikimit përmes vlerave të veçanta dhe autentike popujve ballkanikë.

Shpërndaje në

U Kopjua