Live

Të premten protestë për keqtrajtimin e kafshëve

18:46 / 11 Qershor 2025

Nga Kosova Live

Rasti i keqtrajtimit të një qeni në strehimoren e Komunës së Prishtinës është dënuar nga organizatat për mbrojtjen e kafshëve.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Bekim Brestovci e ka vlerësuar akt të papranueshëm. Ndërkaq për keqtrajtim të kafshëve, këtë të premte është paralajmëruar protestë.

Strehimorja publike e qenëve në Hajvali, strehon rreth 1 mijë e 300 qenë të larguar nga rruga. Por, njëri nga ta, ditë më parë u pa që është keqtrajtuar nga një punonjës aty. Ky akt u dënua nga zyrtarë të Komunës së Prishtinës.

Brestovci, sqaroi për Radio Kosovën se keqtrajtimi është kryer nga një punonjës i një kompanie private e cila bën sigurimin e objektit, e jo nga stafi i komunës. Ai bëri të ditur se ndaj këtij personi është ngritur edhe kallëzim penal.

“Ajo çfarë është bërë me automatizëm ai është suspenduar nga puna. Ne përmes menaxherit tonë të kontratës po iniciojmë edhe një kallëzim penal ndaj tij. Është diçka e papranueshme”, ka thënë Brestovci.

Keqtrajtimi ndaj kafshëve është dënuar edhe nga organizatat për mbrojtjen e kafshëve. Udhëheqësja e “Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve”, Elza Ramadani, ka thënë se si organizatë kanë paraqitur kallëzime penale të shumta, përfshirë edhe këtë të fundit, por që sipas saj nuk ka pasur ndonjë reagim deri tani.

“I kemi më shumë se 400 raste të kallzimeve penale. Edhe për këtë rastin e fundit në strehimoren publike kemi ngritur kallëzim penal. Fatkeqësisht askush nuk është dënua përveç një rasti vitin e kaluar, kur një pronar ka rrahur qenin e tij dhe pastaj qeni ka ngordhur. Ky është i vetmi rast që pronari është mbajtur 48 orë”, ka thënë Ramadani.

E me ndryshimin dhe Plotësimin e Kodit Penal të Kosovës ka avancuar ruajtja dhe mbrojtja e të drejtave të kafshëve, ku secili keqtrajtim i kafshëve do të dënohet me gjobë, apo burgim deri në gjashtë muaj.

Ndryshe me iniciativën e disa organizatave që merren më të drejtat e kafshëve ditën e premte me 13 qershor, do të protestohet para objektit të komunës. Protesta sipas këtyre organizatave bëhet për shkak siç thuhet, të mos transparencës së Komunës me komunitetin e mbrojtjes së kafshëve.

Shpërndaje në

U Kopjua