Live

Tema e Kosovës përçan Qeverinë serbe

09:58 / 29 Korrik 2019

Nga Kosova Live

 Çështja e Kosovës është bërë “mollë sherri” në Qeverinë e Serbisë. Për shkak të qëndrimeve lidhur me politikën serbe për Kosovën, kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç, dhe ministri pa portofol në Qeverinë e Serbisë, Nenad Popoviç, vazhdojnë konfliktin mes vete.

Ministri Popoviç, që është edhe kryetar i Partisë Popullore Serbe, ka thënë të shtunën se marrëveshja e Brukselit është e vdekur dhe se nuk ka integrim evropian për Serbinë. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministres Bërnabiç. Sipas “Kurir”, Bërnabiç ka thënë se çdo ministër është i detyruar të zbatojë politikën e dakorduar dhe kush nuk është në gjendje ta bëjë këtë, është i lirë të largohet nga Qeveria.

“Pas të gjitha mesazheve, që javët e fundit, i kemi marrë nga vendet perëndimore – ‘farsës me terroristin Ramush Haradinaj para të ashtuquajturës Gjykatë Speciale’, gjykimeve të reja që ne jemi një popull gjenocidial, arrestimit të serbëve dhe sulmeve në territorin tonë shtetëror në Kosovë – është e qartë se më nuk ka integrim evropian dhe se marrëveshja e Brukselit është e vdekur”, ka thënë Popoviç.

Kjo deklaratë e ministrit ka bërë që menjëherë të reagojë kryeministrja Brnabiç.

“Popoviq mund të japë deklarata të tilla si kryetar i partisë së tij, por jo në emër të Qeverisë. Çdo ministër është i detyruar të zbatojë politikën e përbashkët dhe të dakorduar, kurse ata që nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë, janë të lirë të largohen”, ka thënë Bërnabiç.

Shpërndaje në

U Kopjua