Live

Trafikoi mbi 1 ton kanabis, kapet në Francë ish-truproja i Saimir Tahirit

15:28 / 01 Korrik 2025

Nga Kosova Live

Një pjesëtar i një organizate kriminale ndërkombëtare, i shpallur në kërkim nga SPAK, është arrestuar në Paris, Francë, si pjesë e operacionit policor “The Wanted”. Ai akuzohet për trafikimin e mbi 1016 kilogramë kanabis drejt Italisë, përmes rrugës detare.

Bëhet fjalë për Paul Deda, 50 vjeç, i cili u lokalizua dhe arrestua falë bashkëpunimit me autoritetet franceze. Ai pritet të ekstradohet në Shqipëri, ku GJKKO i ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”.

Hetimet kanë zbuluar se Paul Deda ka bashkëpunuar me shtetas shqiptarë dhe italianë për trafikimin e drogës së kultivuar në Shqipëri drejt Barit, ku Policia italiane sekuestroi sasinë prej mbi një ton kanabis. Në Itali gjatë operacionit u arrestuan edhe dy anëtarë të tjerë të kësaj organizate kriminale, transmeton euronews.

Përveç akuzës për trafik droge, ndaj Paul Dedës rëndon edhe akuza për pastrim parash, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Në lidhje me këtë dosje, është bërë e ditur se edhe Hekuran Marku, një tjetër ish-truproja i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, është dënuar në Shqipëri me 8 vite e 8 muaj burg. Ai ishte pjesë e hetimeve në njërën prej fraksioneve të dosjes së njohur “Shpiri”, “Shefi” dhe “Kulmi”, që lidhen me trafikimin e drogës nga Shqipëria në Itali.

Ndërkohë, Paul Deda kishte kërkuar azil në Francë para arrestimit të tij.

Shpërndaje në

U Kopjua