Live

Tragjedi në Itali: 17-vjeçari humb jetën pasi u zuri gropa me rërë që e hapi vetë

09:38 / 11 Korrik 2025

Nga Kosova Live

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në plazhin Montalto di Castro, në rajonin e Lacios në Itali, ku një 17-vjeçar nga Roma ka humbur jetën në rrethana të rënduara.

Adoleshenti, i cili po pushonte në një plazh publik bashkë me vëllezërit dhe motrat më të vegjël, kishte hapur një gropë rreth një metër e gjysmë të thellë për t’u argëtuar. Por në një moment, gropa është shembur dhe e ka zënë brenda, duke e bllokuar plotësisht.

Në çastin e ngjarjes, fëmijët e tjerë ishin larguar, ndërsa babai nuk kishte vërejtur se çfarë kishte ndodhur. Vetëm pas disa minutash mungesë, ai alarmohet dhe nis kërkimet. Me ndihmën e fëmijëve të vegjël, arrihet të lokalizohet vendndodhja e gropës dhe nisin përpjekjet për ta nxjerrë të riun.

Në vendngjarje ndërhynë forcat e policisë, zjarrfikësit dhe një helikopter me ekip mjekësor, por për fat të keq, ndihma mbërriti shumë vonë dhe i riu u shpall i vdekur në vend.

Shpërndaje në

U Kopjua