Një ngjarje tragjike ka ndodhur në qytetin e Prilepit në Maqedoninë e Veriut, ku një burrë ka vrarë nipin dhe djalin e tij 11-vjeçar me armë zjarri, dhe më pas kreu vetëvrasje.
Sipas raportimeve, burri po qëndronte bashkë me dy djemtë në shtëpi dhe pas rreth një ore i ka qëlluar për vdekje, transmeton klankosova.tv.
Ngjarja ndodhi dje pasdite duke u raportuar në polici rreth orës 15:30, por policia shkoi në vendngjarje vetëm pas shtatë orësh, në orën 22:30.
Kjo vonesë sipas a2cnn, ka ngritur shqetësime serioze për dështimin e institucioneve në raste emergjente.
Kur policia u përpoq të hynte në shtëpi, autori i kërcënoi me një bombë dore dhe më pas e aktivizoi atë, duke krijuar panik në lagje.
Për shkak të rrezikut, u kërkua ndihmë nga Shkupi, por forcat speciale mbërritën vetëm pas mesnate, rreth orës 01:30.
Ndërhyrja nuk pati efekt, pasi autori kreu vetëvrasje.
Vetëm pas kësaj situate dramatike, autoritetet nisën hetimet. Deri tani nuk dihen arsyet e kësaj tragjedie, dhe Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka dhënë ende një deklaratë zyrtare.