Live

Tragjedi në Romë, gjenden trupat e pajetë të një foshnje 6-muajshe dhe një gruaje

12:49 / 08 Qershor 2025

Nga Kosova Live

Një pasdite në parkun Villa Doria Pamphili u kthye në skenë makthi pas zbulimit të dy trupave të pajetë, të një foshnjeje dhe një gruaje.

Ngjarja ka tronditur banorët e zonës dhe ka vënë në lëvizje hetuesit italianë në kërkim të së vërtetës pas këtij misteri të errët, shkruan Top Channel, transmeton Klankosova.tv.

Rreth orës 16:30 të së shtunës, në një zonë të parkut të kthyer në vendgrumbullim mbeturinash, u gjet trupi i një vajze të vogël, rreth gjashtëmuajshe.

Dy kalimtare fillimisht menduan se bëhej fjalë për një kukull, por pasi u afruan e kuptuan të vërtetën tronditëse. Foshnja ishte lakuriq, me shenja traume në krahun dhe këmbën e djathtë.

Vetëm katër orë më vonë dhe rreth 100 metra larg, një tjetër zbulim makabër: trupi i një gruaje, i fshehur në një thes të zi. Gruaja ishte e veshur, por pa dokumente identifikimi.

Një lidhje e mundshme: nënë dhe bijë?

Hetuesit dyshojnë se të dy viktimat mund të jenë familjare – ndoshta nënë e bijë – dhe se të dy trupat janë braktisur nga i njëjti person. “Është një histori absurde,” deklaroi prokurori Antonio Verdi, që mbërriti në vendin e ngjarjes mbrëmjen vonë. Ai shtoi se do të bëhen analiza ADN-je për të përcaktuar lidhjen mes viktimave dhe për të ndriçuar shkaqet e vdekjes.

Sipas vlerësimeve të para mjeko-ligjore, gruaja ka ndërruar jetë më parë se foshnja, por nxehtësia brenda çantës ku u gjet mund të ketë përshpejtuar dekompozimin e trupit të saj.

Dëshmi, dyshime dhe kamera sigurie

Një familje që po luante volejboll në park zbuloi trupin e gruas kur topi përfundoi në shkurre. Njëri prej tyre, Giacinto Tito, tha se ndjenin një erë të keqe dhe menjëherë lajmëruan policinë. Disa metra më tutje ndodhet një gardh i dëmtuar që shikon nga një rrugë e jashtme – një pikë e mundshme hyrjeje për personin që braktisi trupat.

Ndërkohë, hetuesit kanë sekuestruar pamjet nga kamerat e sigurisë përreth parkut për të identifikuar lëvizjet e dyshimta në ditët e fundit. Po ashtu, po kontrollohen spitalet për të parë nëse ndonjëra prej viktimave është paraqitur më herët për trajtim mjekësor.

Gruaja e panjohur në urë – një pistë e re?

Rreth orës 18:40, dy gra që po shëtisnin në park panë një grua të re në gjendje të hutuar mbi një urë në qendër të parkut. “Ajo mbante duart në tëmtha dhe tundte kokën. Ishte me një fustan të errët dhe flokë ngjyrë kafe të çelët”, tha njëra prej dëshmitareve për gazetën La Repubblica.

Ky dëshmitar mund të jetë çelësi për të kuptuar më shumë rreth identitetit të viktimave apo personit përgjegjës.

Përfundimi i një dite makthi

Në orën 21:30, parkut iu shtuan dritat e forta të zjarrfikësve për të ndihmuar hetuesit dhe mjekun ligjor gjatë inspektimeve. Disa kalimtarë, të hutuar nga prania e shiritave të policisë, pyetën nëse po xhirohej ndonjë film. Por të vërtetën e hidhur e mësuan vetëm kur u afruan më shumë.

Villa Doria Pamphili, një nga parqet më të dashura të Romës, është tashmë skenë e një hetimi të ndërlikuar, me shumë pyetje të hapura dhe me vetëm disa fije shprese për të zbuluar çfarë ndodhi vërtet.

Shpërndaje në

U Kopjua