Live

Tragjedia ajrore në Indi – Zbulohet çka çoi në rrëzimin e aeroplanit

08:21 / 12 Korrik 2025

Nga Kosova Live

Byroja Hetuese e Aviacionit në Indi ka publikuar raportin preliminar lidhur me aksidentin ajror të “Air India”, që ndodhi në muajin qershor dhe përfundoi me tragjedi të rëndë.

Aeroplani, i cili ishte nisur nga aeroporti i Ahmedabadit me destinacion Londrën, mezi kishte arritur të ngrihej nga pista, kur u rrëzua përsëri në tokë, duke shkaktuar vdekjen e 260 personave. Nga aksidenti mbijetoi vetëm një pasagjer.

Raporti i hetuesve ka vënë theksin te veprimet e ekuipazhit në kabinën e pilotimit. Sipas dokumentit, të dy çelësat e kontrollit të karburantit – të cilët përdoren për të ndalur motorët – ishin vendosur në pozicionin që ndërpret rrjedhën e karburantit, çka ka bërë që motorët të ndaleshin gjatë ngritjes. Ky pozicion zakonisht përdoret vetëm pas përfundimit të fluturimit apo në raste emergjente me defekte teknike.

Pamjet dhe incizimet e regjistruara nga kabina zbulojnë një moment konfuzioni mes pilotëve. Njëri prej tyre dëgjohet duke pyetur: “Përse e ke ndalur?”, ndërsa tjetri i përgjigjet se “nuk e ka bërë këtë”. Raporti nuk e specifikon se cili nga pilotët i ka shqiptuar këto fjalë.

Në momentin e nisjes, bashkëpiloti ishte ai që drejtonte aeroplanin, ndërsa kapiteni ishte në rolin mbikëqyrës.

Shpërndaje në

U Kopjua