Policia e Kosovës ka lëshuar komunikatë për aksidentin në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë.
Në komunikatë thuhet se aksidenti ndodhi ndërmjet dy veturave, njëra nga to e policisë.
Tre persona civil mbeten të vdekur, katër policë të lënduar.
Komunikata
Sonte rreth orës 18:40, është raportuar për aksident trafiku me pasoja fatale, i cili ka ndodhur në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë, segmenti rrugor në fshatin Çubrel të Skenderajt.
Në këtë aksident janë përfshira dy vetura, njëra prej tyre veturë zyrtare e policisë.
Si pasojë e aksidentit, bazuar në informacionet e siguruara kanë humbur jetën tre persona civil, përderisa lëndime kanë pësuar edhe pesë persona tjerë, katër prej tyre zyrtarë policor.
Njësitë policore dhe stafi menaxhues kanë dalur në vendin e ngjarjes, ndërsa për hetimet dhe shkaqet e aksidentit po merren hetuesit e njësitit rajonal të trafikut rrugor.
Lidhur me rastin janë njoftuar institucionet kompetente, IPK-ja dhe Prokurori kompetent të cilët pritet të dalin në vendin e ngjarjes.
Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura, ka bërë të ditur se nga aksidenti me fatalitet në rrugën magjistrale Mitrovicë – Pejë, përkatësisht në fshatin Çubrel, tre persona janë konfirmuar të vdekur nga policia.
Nura u shpreh i tronditur nga ngjarja, duke shprehur ngushëllimet e tij për familjet e viktimave.
“Situata është rënduar pas aksidentit në Çubrel, me tri viktima deri tani të konfirmuara nga Policia e Kosovës.
Thellësisht i prekur nga ky aksident ku u shuan tri jetë.
Zoti ua lehtësoftë dhimbjen familjeve!” – tha ai.