Live

“Tregu i lirë”, Sejdiu thotë se shteti po i rrezikon mbi 1.6 miliard euro në vit

12:48 / 31 Maj 2025

Nga Kosova Live

Çështja e kalimit në treg të lirë për bizneset e mëdha prodhuese në vend, po merr vëmendje çdo ditë e më shumë në opinion.

Në këtë kontekst, njohësi i zhvillimeve politike dhe çështjeve ekonomike, Dardan Sejdiu, ka komentuar këtë situatë, duke thënë se politika po e çon ekonominë drejt humnerës “me buzëqeshje dhe fjalë të bukura”.

“Të shtunën në mëngjes, shumica kqyrim me gjetë pak qetësi e ndoshta ku me pi edhe naj kafe. Po derisa po kërkojmë pak qetësi, politika po e çon ekonominë drejt humnerës, me buzëqeshje dhe fjalë të bukura. E tash, 250 euro/MWh nuk është thjesht një çmim, është diagnozë”.

Për më tepër, ai thotë se Kosova në këto 26 vjetët e fundit ka operuar pa një model zhvillimor të mirëfilltë.

“Ka jetu me idenë se tregu i lirë rregullon gjithçka vetë. Se shteti duhet me u tërheq. Se industria vendore ia del vetë me u zhvillu. Sot, e vërteta po troket: ky ‘treg i lirë’ qe 26 vjet i ka lanë prodhuesit dhe ekonominë tonë ‘cullak’ para krizave e monopolove të privatizuara publike, pa asnjë mjet e qeveri për t’i mbrojtur”, u shpreh ai në një postim në Facebook.

Sejdiu thotë se 1300 kompani, që janë gati gjysma e ekonomisë sonë, janë në protestë dhe se janë 143 mijë punëtorë që janë në rrezik.

Po ashtu, sipas kalkulimeve që i ka bërë Sejdiu, nga këto biznese, shteti përfiton 4.5 milionë euro tatime në ditë, apo mbi 1.6 miliardë euro në vit.

Por thotë se kjo situatë do të jetë e këtillë “edhe naj ditë”.

Njohësi i zhvillimeve politike dhe aspekteve ekonomike, Dardan Sejdiu, shton se në një situatë të rënduar nga inflacioni, një rritje e tillë e çmimit të energjisë është thjesht përshpejtim i krizës.

Ai ka bërë edhe një krahasim me çmimin e rrymës që prodhuesit e vendeve të rajonit paguajnë, në krahasim me Kosovën.

Në bullgari, sipas Sejdiut, prodhuesit paguajnë ~90 €/MWh; në Serbi, ~100–120 €/MWh; në Turqi, ~80 €/MWh, ndërsa në Kosovë, 250 €/MWh.

Kjo, sipas tij, nuk është konkurrencë por është dorëzim.

Më tej, ai citon ekonomistin Ha-Joon Chang, cili thotë se e ka përshkruar këtë situatë me një metaforë të thjeshtë: “nuk e fut një fëmijë në ring me një boksier profesionist dhe e quan garë të ndershme”.

“Pa mbrojtje për prodhuesit dhe industrinë tonë të brishtë, ne s’kemi as zhvillim, as mirëqenie e as drejtësi ekonomike. Nëse vazhdojmë kështu, nuk është çështje nëse por kur do të mbyllen fabrikat e njerëzit të mbesin pa punë”.

“Por ka rrugë tjetër. Një model i ri zhvillimor, një rrugë tjetër përpara, i bazuar në mbështetje për industri dhe prodhuesit vendorë, në politika ekonomike e industriale aktive, dhe në një tranzicion të gjelbër që nuk e sheh mjedisin, zhvillimin dhe industrinë si kundërshtare të njëra tjetrës”.

“Ky është çelësi për me ndërtu një ekonomi që i qëndron kohës, një ekonomi e përgatitur për të ardhmen – future-proof. Ekonomi që jo vetëm që mbijeton, por zhvillohet. Jo vetëm importon, por prodhon. Jo vetëm reagon, por ecën para me vizion”, përfundoi Sejdiu. 

Shpërndaje në

U Kopjua