Live

Trendafilova: Deri tash nuk është sanksionuar asnjë gjyqtar

20:57 / 02 Korrik 2025

Nga Kosova Live

Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, ka thënë se deri tash nuk është sanksionuar asnjë gjyqtar.

Avokatë të të akuzuarve në Hagë janë shprehur kritikë në disa gjyqtarë, për të cilët kanë theksuar se janë treguar të anshëm në proces duke u bërë pyetje orientuese dëshmitarëve. Ndërkaq, një gjyqtar ka pëlqyer një postim në LinkedIn, që i referohet një takimi midis përfaqësuesve të Francës dhe atyre të Serbisë.

Por në një intervistë të shkruar dhënë Kohës, Trendafilova ka theksuar se deri më tani nuk ka pasur procedura disiplinore ndaj ndonjë gjyqtari.

Ajo ka folur për vizitën e fundit në Kosovë, për proceset gjyqësore që janë duke u zhvilluar në Hagë e edhe për dëshmitarët.

“Njerëzit kanë të drejtë të protestojnë sigurisht, por personalisht nuk më duket se ka kuptim të pengohen gazetarët që të shtrojnë pyetje. Disa persona duket se kanë frikë nga informacioni objektiv dhe transparent. E di që mandati i gjykatës nuk gëzon popullaritet te disa persona në Kosovë. Por, është fakt që Dhomat e Specializuara u krijuan nëpërmjet amendamentimit të Kushtetutës së Kosovës dhe si rrjedhojë e një marrëveshjeje mes BE-së dhe Kosovës. Prandaj, gjykata po vepron në përputhje me mandatin që i është dhënë. Ky mandat përfshin, si në çdo sistem të bazuar në sundimin e ligjit, gjykimin e drejtë, të pavarur dhe të paanshëm, mbrojtjen e të drejtave të njeriut të të pandehurve”.

“Ashtu si në vitet e kaluara, erdha në Kosovë për t’iu shpjeguar njerëzve rastet dhe për të sqaruar cilëndo pyetje a paqartësi. Kjo, sepse e konsideroj të rëndësishme që Dhomat e Specializuara të komunikojnë në lidhje me gjykimet në mënyrë sa më transparente të jetë e mundshme. Proceset gjyqësore janë të rëndësishme për Kosovën dhe për këtë arsye të gjithë duhet ta kuptojnë se mandati i gjykatës është të zhvillojë procedura të drejta, të pavarura, të paanshme e të sigurta, si dhe se si funksionon kjo në praktikë. Por disa persona, për çfarëdo arsye, nuk dëshirojnë që informacioni i tillë t’i komunikohet publikut përmes pyetjeve kritike nga gazetarët. Është në interesin publik që gazetarët të komunikojnë me gjykatën”..

Shpërndaje në

U Kopjua