Live

Trump i përgjigjet ofertës së Salmanit prej 600 miliardë dollarësh: I kërkoj të mbledhë një trilion

09:36 / 24 Janar 2025

Nga Kosova Live

Arabia Saudite do të investojë 600 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara në vitet e ardhshme, tha të enjten Presidenti Donald Trump, përpara se të shtonte se do dëshironte të shihte një shumë edhe më të madhe investimi.

“Por unë do t’i kërkoj princit të kurorës, i cili është një personazh fantastik, të mbledhë rreth një trilion. Mendoj se ai do ta bëjë këtë sepse ne kemi qenë shumë të mirë me ta,” tha Trump në një adresim përmes videos në Forumin Ekonomik në Davos.

Menjëherë pas inaugurimit të tij të hënën, Trump pati një bisedë telefonike me Princin e Kurorës të Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, i cili konsiderohet sundimtari de fakto i mbretërisë.

Shtëpia e Bardhë tha se kjo ishte telefonata e parë që Trump bëri me një lider të huaj në mandatin e tij të dytë.

Sekretari i Shtetit i sapoemëruar nga Trump, Marco Rubio foli gjithashtu me bin Salmanin menjëherë pas marrjes së detyrës.

Trump u pyet në ditën e tij të parë në detyrë se cili vend mund të ishte destinacioni i vizitës së tij të parë jashtë vendit. Presidenti deklaroi se gjatë mandatit të tij të parë kishte udhëtuar në Arabinë Saudite sepse ata kishin paralajmëruar investime prej 450 miliardë dollarësh asokohe.

Kur u pyet nëse do të shkonte sërish atje si vizitë të parë, ai tha se është e mundur nëse ata shprehen të gatshëm të investojnë të njëjtën shumë apo më shumë. Trump u tha gjithashtu udhëheqësve në Davos se ai do t’i bëjë presion ndaj Arabisë Saudite për të ulur çmimet globale të naftës.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...