Revista e njohur amerikane “Foreign Policy” ka bërë një analizë kthimit të Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë dhe domethënien e tij për shtetet e Ballkanit.
“Teksa shumëkush në rajon i frikësohet animit drejt nacionalistëve serbë, transaksionalizmi i administratës së re amerikane mund të befasojë të gjithë”, shkruan revista e njohur amerikane.
Krejt diskutimet në Washington për qasjen e administratës së Trumpit në çështjet globale lidhen me Ukrainën, Kinën, Lindjen e Mesme dhe së fundmi Grenlandën, ka pak biseda për Ballkanin Perëndimor.
“Ndërrimi i qasjes në politikën e jashtme amerikane për këtë rajon mund të lëkund status-quon fragjile që mbretëron atje. Çështjet aktuale të Ballkanit Perëndimor dhe ekuilibri delikat gjeopolitik ia kanë pamundësuar Bosnjë e Hercegovinës rrëshqitjen në luftë civile ndërkaq konflikti i ngrirë mes Serbisë dhe Kosovës ka mbetur i tillë që 26 vjet”, thuhet në analizën e Foreign Policy.
Revista amerikane shkruan se nacionalistët serbë, në veçanti, kanë shpresë në kthimin e Trumpit. Sipas saj, ata janë optimist se administrata e tij do të jetë më e afërt me Beogradin dhe Republika Srpskan në Bosnjë.
“Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe presidenti i Republika Srpskas, Milorad Dodik dëshirojnë që SHBA-ja të jetë kundër qeverive perëndimore dhe institucioneve që e përkrahin fuqishëm pavarësinë e Kosovës dhe strukturën e centralizuar të Bosnjës që ishte krijuar nga Marrëveshja e Dejtonit në vitin 1995”, shkruan “Foreign Policy”.
Pak kohë pas fitores elektorale të Trumpit në nëntorin e kaluar, Vuçiq pati një telefonatë “shumë miqësore” me të, e ftoi atë në Beograd dhe e lavdëroi për njohuritë e tij mbi “shumë gjëra për Serbinë,” duke theksuar se vlerësimet pozitive për Trumpin në Serbi janë më të larta se në çdo vend tjetër evropian.
Aty përmendet emisari Richard Grenell, teksa potencohet se në Kosovës ka të ngjarë të ketë një shqetësim për administratën e re.
Richard Grenell, i dërguari i posaçëm presidencial për negociatat e paqes mes Serbisë dhe Kosovës nga viti 2019 deri në 2021, ishte një figurë qendrore në ruajtjen e marrëdhënieve miqësore mes Uashingtonit dhe Beogradit gjatë mandatit të parë të Trumpit. Gjatë presidencës së Joe Biden, Grenell vizitoi disa herë Beogradin. Në vitin 2023, Grenell mori dekoratën e flamurit serb, dhe Vuçiq e lavdëroi për “dëshmimin e së vërtetës për ngjarjet në Kosovë dhe rajon”, vijon raportimi.
“Pavarësisht rolit të Grenellit në administratën e dytë të Trumpit, Kosova ka të ngjarë të jetë e shqetësuar për Trump 2.0. Shtetet e Bashkuara kanë njohur pavarësinë e Kosovës që nga viti 2008, dhe sot shumica e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara—përfshirë pjesën më të madhe të vendeve evropiane—e njohin atë gjithashtu. Por Serbia, Rusia, Kina dhe një listë e gjatë shtetesh kryesisht jo-perëndimore e njohin Kosovën si pjesë të Serbisë”, shkruan Foreign Policy.
Megjithatë, në shkrim potencohet se Trump ka të ngjarë të kërkojë marrëveshje të mëdha diplomatike dhe biznesi në Ballkanin Perëndimor.
“I njohur për qasjen e tij transaksionale ndaj politikës së jashtme, Trump ka të ngjarë të kërkojë marrëveshje të mëdha diplomatike dhe biznesi në Ballkanin Perëndimor. Marrëdhëniet e biznesit të familjes Trump në Serbi përfshijnë Affinity Partners (firmën e investimeve të dhëndrit të tij Jared Kushner) sigurimin e një leje 99-vjeçare për të zhvilluar një hotel luksoz në Beograd në një vend që u bombardua nga NATO në 1999 dhe duke investuar afërsisht 1 miliard dollarë në hotele dhe vila luksoze në bregdetin e Shqipërisë, vijon shkrimi.
Në fund të fundit, Trump është i njohur për marrjen e vendimeve të politikës së jashtme bazuar në ofertën më të lartë dhe nëpërmjet lidhjeve personale, dhe jo institucioneve tradicionale, shkruan Foreign Policy.