Presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë që Shtetet e Bashkuara t’i bashkohen ofensivës së Izraelit ndaj Iranit, përfshirë përdorimin e bombave të fuqishme për të goditur objektiva bërthamore të fshehura thellë nën tokë.
Megjithatë, burime të afërta me administratën thanë për CNN se një diskutim intensiv është duke u zhvilluar mes zyrtarëve të tij të lartë mbi mënyrat se si SHBA mund të ndërmarrë veprime ushtarake pa u përfshirë në një luftë të re në shkallë të gjerë.
Trump është i hapur ndaj argumenteve të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i cili beson se vetëm SHBA-të mund t’i japin fund ambicieve bërthamore të Iranit. Por presidenti amerikan mbetet i kujdesshëm, duke pasur parasysh premtimin e tij për të shmangur konflikte të huaja të zgjatura.
Sipas diplomatëve evropianë, administrata Trump po planifikon të ndjekë me kujdes zhvillimet gjatë javës së parë të ofensivës izraelite, përpara se të marrë një vendim nëse do të angazhojë forcat amerikane. Vetë presidenti ka deklaruar:
“Më pëlqen ta marr vendimin përfundimtar një sekondë para se të vijë koha. Sidomos me luftën, gjërat ndryshojnë.”
Burime pranë presidentit theksojnë se Trump nuk e sheh një sulm të mundshëm amerikan si domosdoshmërisht të barasvlershëm me një përfshirje të plotë në luftë, duke besuar se goditjet vendimtare mund të qëndrojnë të kufizuara dhe strategjike.