Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka lëshuar një kërcënim të hapur për tregtarët e naftës duke i thënë këtyre të fundit të mbajnë çmimin e naftës në nivel dhe të mos e rrisin atë, pavarësisht përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Me mesazhin e qartë se ai po i vëzhgon, Trump i thotë të gjithë se po shkojnë drejt duarve të armikut me vendime të tilla dhe nuk duhet ta bëjnë këtë gjë.
Të gjithë, mbajini çmimet e naftës të ulura. Po ju vëzhgoj! Po shkoni drejt e në duart e armikut. Mos e bëni këtë!”, reagoi Trump në median e tij sociale Truth Social, transmeton Periskopi.
Mesazhi vjen në një kohë kur Irani ka kërcënuar të mbyllë kalimin në Ngushticën e Hormuzit, një prej pikave strategjike të kalimit të naftës në botë, e cila është nyja mes Iranit dhe Omanit dhe që nga ku më tej shpërndahet nafta në gjithë botën, qoftë në pjesën e indo-paqësorit, qoftë në Mesdhe dhe Atlantik.
Kina ndërkaq ka njoftuar Iranin në mënyrë zyrtare që të mos mbyllë ngushticën e Hormuzit, ose në të kundërt rrezikohet një përshkallëzim i vërtetë në ekonominë botërore dhe Lindjen e Mesme.
Kjo thirrje e Kinës vjen pasi SHBA-të, përmes Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, i bënë thirrje Pekinit zyrtar të parandalonte Iranin nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit detar në botë.
Vetë komentet e Rubios erdhën pasi televizioni shtetëror iranian Press TV raportoi se Parlamenti kishte miratuar një plan për të mbyllur Ngushticën, por shtoi se vendimi përfundimtar i takon Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare.