Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, ka njoftuar për një zbulim të ri të rëndësishëm të gazit natyror në Detin e Zi. Gjatë një aktiviteti në Stamboll, ai tha se janë zbuluar 75 miliardë metra kub (bcm) gaz natyror në pusin Goktepe-3, në një thellësi prej 3,500 metrash.
“Me këtë zbulim, do të përmbushim nevojat për gaz natyror të familjeve turke për 3.5 vjet,” deklaroi Erdogan, duke e cilësuar rezervën si një arritje strategjike me vlerë ekonomike prej rreth 30 miliardë dollarësh, raporton Reuters.
Aktualisht, prodhimi ditor i gazit natyror në fushën Sakarya ka arritur në 9.5 milionë metra kub, ndërsa Turqia vazhdon të forcojë pozitat e saj energjetike përmes zhvillimit të burimeve vendore dhe partneriteteve ndërkombëtare.
Me këtë hap, Ankaraja synon të reduktojë varësinë nga importet, të cilat përbëjnë mbi 90% të konsumit energjetik të vendit.