Live

Udhëheqja izraelite voton për zgjerimin e ofensivës tokësore të Gazës

12:17 / 05 Maj 2025

Nga Kosova Live

Kabineti i sigurisë i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu ka miratuar një plan të ri për të zgjeruar ofensivën ndaj grupit militant palestinez Hamas, me synimin për të marrë nën kontroll tërë Rripin e Gazës dhe për të mbajtur territorin e pushtuar, ka bërë të ditur një zyrtar izraelit të hënën.

Sipas transmetuesit publik izraelit Kan, plani i ri është gradual dhe pritet të zgjasë me muaj, duke nisur me përqendrimin e forcave në një zonë të caktuar të territorit të shkatërruar.

Kjo qasje, sipas ministrit të kabinetit të sigurisë Zeev Elkin, mund të lërë hapësirë për një marrëveshje të mundshme për armëpushim dhe lirimin e pengjeve para vizitës së presidentit amerikan Donald Trump në rajon javën e ardhshme.

“Ende ekziston një dritare mundësie deri në përfundimin e vizitës së presidentit Trump në Lindjen e Mesme, nëse Hamasi e kupton se jemi seriozë”,  tha Elkin për Kan, raporton reuters, transmeton Klankosova.tv.

Izraeli tashmë kontrollon rreth një të tretën e territorit të Gazës dhe rifilloi ofensivën tokësore në mars, pasi dështoi një armëpushim i ndërmjetësuar nga SHBA që kishte zgjatur dy muaj. Që atëherë, Izraeli ka vendosur një bllokadë totale ndaj ndihmës humanitare për Gazën.

Sipas planit të ri, forcat izraelite nuk do të tërhiqen më pas sulmeve, por do të qëndrojnë në territor deri në shkatërrimin ose çarmatosjen e Hamasit. Megjithatë, Hamasi ka refuzuar çdo thirrje për dorëzim ose tërheqje.

Izraeli ende nuk ka paraqitur një plan të qartë për të ardhmen e Gazës pas luftës, ndërkohë që përballet me trysni ndërkombëtare për t’i dhënë fund një fushate ushtarake që ka zhvendosur shumicën e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh dhe që ka bërë që ndihmat të jenë gjithnjë e më të pakta.

Zyrtari izraelit tha se popullsia civile do të zhvendoset drejt jugut të Gazës dhe se do të ketë përpjekje për të shmangur rënien e ndihmave në duart e Hamasit, edhe pse bllokada nuk do të hiqet për momentin.

Të dielën, Kombet e Bashkuara hodhën poshtë atë që e cilësuan si një plan të ri për shpërndarjen e ndihmave përmes “qendrave të kontrolluara nga Izraeli”.

Shpërndaje në

U Kopjua