Live

Ukrainë: Vazhdon evakuimi në Pokrovosk ndërsa afrohen forcat ruse

20:48 / 20 Shkurt 2025

Nga Kosova Live

Forcat ukrainase po përpiqen të frenojnë përparimin e ushtrisë ruse drejt qytetit Pokrovosk në rajonin e Donteskut të Ukrainës Lindore. Qeveria ukrainase vazhdon evakuimin e popullsisë nga rajoni ndërsa shtohen rreziqet nga bombardimet e vazhdueshme ruse.

Qyteti Pokrovosk në Ukrainën Lindore është kthyer në gërmadha si rezultat i sulmeve dhe bombardimeve ruse.

Autoritetet ukrainase urdhëruan evakuimin e qytetit verën e vitit të kaluar. Megjithëse shumë janë larguar, rreth 7000 banorë thonë se do të qëndrojnë, pavarësisht se qyteti nuk ka gaz për ngrohje, energji elektrike apo ujë të rrjedhshëm.

“Ju thashë, ai ka nevojë të rrijë në banesën e tij”, u thotë Elena pjesëtarëve të ushtrisë ukrainase.

“Pse jeni akoma këtu? Po sikur të bombardojnë? Kur të qetësohet situata mund të ktheheni”, përpiqet t’u mbushë mendjen një ushtar.

“Nuk na gjen gjë, mos u shqetësoni”, u thotë ushtarëve Leonid, banor i qytetit.

Ushtarët përpiqen të bindin banorët që të largohen. Një çift pranon të largohet pasi bisedojnë me fëmijët e tyre.

Por të tjerët nuk pranojnë.

“Ne do të qëndrojmë këtu, kemi macen”, thotë një grua.

“Nuk duam që ju të vdisni këtu, e kuptoni? Erdhëm këtu për ju, kishim frikë se diçka mund të kishte ndodhur”, thotë një ushtar.

“Ju lutem, ne nuk do të evakuohemi”, thotë banorja.

Yevhen Tuzov është vullnetar që ndihmon në evakuimin e banorëve nga zonat e rrezikshme. Ai thotë se të moshuarit janë kryesisht ata që refuzojnë të largohen.

“Mendoj se arsyeja kryesore është se banorët mendojnë se nuk mund të mbijetojnë diku tjetër me ato pak sende që kanë. Të themi një pensionist që nuk ka fëmijë dhe asgjë me një pension prej 85 dollarësh në muaj, mesatarja për Ukrainën. Le të themi që ai shkon në Dnipro, Poltava apo qytete të tjera, çfarë do të bëjë me ato pak para që ka?”

Ai thotë se evakuimet nga qyteti Pokrovosk janë mjaft të rrezikshme pasi forcat ruse godasin ushtrinë dhe makinat që transportojnë civilët.

“Aktualisht kemi të bëjmë me dronë me fibra optike që janë imunë ndaj valëve eltromagnetike dhe janë shumë të rrezikshëm. Asgjë nuk funksionon ndaj tyre. Janë aq të fuqishëm sa asnjë mjet i blinduar nuk është i sigurte nga sulmet e tyre”.

Qyteti Pokrovosk gjendet në kryqëzimin e disa autostradave dhe hekurudhave. Po ashtu është një burim i rëndësishëm i qymyrit që përdoret në industrinë e prodhimit të çelikut në vend. Muajin e kaluar u pezulluan punimet në miniera.

John Hardie me Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive në Uashington thotë se forcat ruse duan të kontrollojnë qytetin Pokrovsk për arsye simbolike dhe logjistike, raporton VOA.

“Mendoj se tani rusët do ta shihnin atë kryesisht si fitore simbolike, por edhe si një lloj strumbullari operacionesh për të qenë në gjendje të përparojnë në drejtime të ndryshme…”.

Ndërkohë, policia dhe vullnetarët vazhdojnë përpjekjet e evakuimit në qytetin Pokrovsk, ndërsa forcat ruse i afrohen zonës.

Shpërndaje në

U Kopjua