Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka mbajtur të mërkurën mbrëma takimin e parë me qytetarët në kuadër të programit të tij “Koha për Prishtinën”, ku ka prezantuar zgjidhet për Prishtinën dhe lagjet e saj.
Përkrah tij në këtë ngjarje ishte edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili në fjalën e tij theksoi se Uran Ismaili është një lider që vepron me përkushtim dhe përgjegjësi, dhe që nuk ndërmerr asgjë pa besim të plotë në misionin që merr përsipër.
“Uran Ismaili ka qenë ministër i jashtëzakonshëm i Shëndetësisë, një shembull i vendosmërisë dhe guximit për të marrë vendime pa u ndikuar nga askush. Ai është lider që i njeh problemet e Prishtinës dhe ka zgjidhje konkrete për to,” tha Krasniqi.
Në fjalimin e tij, Uran Ismaili theksoi se qyteti ka nevojë për një model të ri qeverisjeje – një Prishtinë me trafik të rregulluar, pa qen endacakë, me ndriçim publik funksional, hapësira të pastra dhe zhvillim urban të planifikuar.
“Kjo është Prishtina që do të nis me qeverisjen time. Bashkë mund ta përfundojmë epokën e zhgënjimit në Prishtinë. Bashkë mund ta ndërtojmë një qytet të pastër, të gjelbër, të sigurt, me mundësi për të gjithë,” u shpreh ai.
Ismaili përmendi edhe kritikët që i referohen kandidaturës së tij si kandidat i PDK-së. Ai tha se “ shënoi sukseses si ministër i Shëndetësisë duke qenë në PDK dhe asgjë se ndal atë për të punuar drejt për Prishtinën”.
“Nuk kanë me thanë nuk ka përvojë. Nuk kanë me thanë s’ka shkollim. Nuk kanë me thanë s’ka ekip. Nuk kanë me thanë s’ka program. S’kanë me mujt me thanë asgjë për tiparet që e bëjnë një Kryetar të mirë të Prishtinës. Por do të orientohen vetëm se unë jam PDK,” deklaroi ai.
Zotimi i parë i Ismailit është rihapja e sheshit “Xhorxh Bush”, si hap i parë drejt zhbllokimit të trafikut.
“Nuk jam unë kundër këmbësorëve, mirëpo jam kundër vendimeve të bëra pa plan, pa alternativa dhe pa vizion. Vendime të cilat e kanë vështirësuar jetën e qytetarëve të Prishtinës. Mbyllja e sheshit… ka shfaqur edhe një mendësi qeverisëse e cila punën e fundit e bën të parën,” tha ai, duke shtuar se do të sigurohet që ky shesh të qëndrojë i hapur derisa të ketë një zgjidhje që nuk shkon në kurriz të qytetarëve.
Zotimi i dytë lidhet me zhbllokimin e trafikut brenda 18 muajve. Ai tha se do të sigurojë 100 autobusë të rinj, do të vendosen 60 semaforë të rinj, do të ndërtohen pesë parkingje në hyrjet e qytetit dhe do të krijohet një qendër moderne e menaxhimit të trafikut. Po ashtu, premtoi zgjerimin dhe ndërtimin e trotuareve për lëvizje më të sigurt të këmbësorëve.
Zotimi i tretë përfshin zgjidhje për qentë endacakë dhe ndriçim më të mirë publik. Ismaili tha se Prishtina nuk duhet të mbetet qytet i errësirës dhe pasigurive nëpër lagje.
Zotimi i katërt lidhet me pastërtinë. Ai u zotua për një sistem të përditshëm të menaxhimit të mbeturinave dhe mirëmbajtjes së hapësirave publike, duke thënë se qyteti duhet të jetë i pastër 24/7, jo vetëm për fushatë.
Zotimi i pestë ka të bëjë me ndërtimet pa plan dhe ruajtjen e hapësirave publike. Ismaili theksoi se do të vendoset rregull në zhvillimin urban dhe se lagjet nuk mund të sakrifikohen më për interesa ndërtimore.
Ai kërkoi nga qytetarët që ta mbajnë për fjale rreth premtimeve të tij, duke iu premtuar atyre se nuk do të lejojë asnjeri të futet mes tij dhe qytetarëve gjatë qeverisjes së ardhshme katër vjeçare të Prishtinës.