Haxhi Avdi Jusufi ka vdekur këtë të diel në vendin e bekuar, në Mekë.
Lajmin e hidhur e bën të ditur familjarët e të ndjerit, transmeton klankosova.tv.
Për këtë rast të dhimbshëm, kanë reaguar edhe nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK).
BIK-u ka njoftuar se Jusufi është varrosur në Mekë, nën përcjellje edhe të udhëheqësve të haxhit të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës.
“Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi! Njoftojmë besimtarët dhe opinionin e gjerë se sot, më 1 qershor 2025, në mëngjes, në Meke, ka ndërruar jetë haxhi Avdi Jusufi nga Vushtrria, i cili këtë vit ishte në mesin e besimtarëve që udhëtuan drejt vendeve të shenjta për ta kryer haxhin. Me këtë rast, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, shpreh ngushëllime për familjen e haxhiut, duke lutur të Madhin Zot që t’ia falë mëkatet dhe ta shpërblejë me Xhenetin Firdeus!”
“Namazi i xhenazes është falur sot në Qabenë e bekuar me namaz të drekës, ndërsa varrimi i tij u bë në varrezat e Mekës, nën përcjellje edhe të udhëheqësve të haxhit të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës. Zoti e mëshiroftë dhe e gradoftë me Xhenet, ndërsa familjes së rahmetliut i dhëntë sabër dhe gajret!”, thuhet në njoftimin e BIK-ut.
