Live

Vazhdimi i gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së ende pa një datë të caktuar, nga Haga thonë se “nevojitet pak kohë”

15:58 / 29 Maj 2025

Nga Kosova Live

Ende nuk ka një datë të caktuar se kur do të vijojë procesi gjyqësor në Hagë, ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në seancën e 1 prillit përfundoi faza e prezantimit të dëshmitarëve , të ftuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në rastin e emërtuar si “Thaçi et al.”, shkruan IndeksOnline.

Ndërkaq, në fillim të majit, avokatëve mbrojtës të Hashim Thaçit, Rexhep Selimit, Kadri Veselit e Jakup Krasniqit, iu dha mundësia të paraqesin mocionin për rrëzim të pikave të aktakuzës.

Ky mocion iu mundësua të paraqitej në formë të shkruar, pa u bërë me dije se kur do të jetë seanca e radhës publike.

Në një deklarim për IndeksOnline, nga Gjykata Speciale e Hagës pohojnë se në konferencën për status janë diskutuar hapat e ardhshëm në gjykimin “Thaçi dhe të tjerët”, pak para se të mbyllej çështja nga ana e Prokurorisë Speciale.

Në atë seancë, avokatët mbrojtës edhe ofruan vullnetin e tyre për të paraqitur kërkesë të përbashkët për rrëzimin e aktakuzave.

“Afati i fundit për të paraqitur këtë kërkesë është 14 ditë pasi Trupi Gjykues të ketë marrë vendimin e tij të fundit mbi pranimin e provave. Pasi të paraqitet kërkesa, Prokurorisë do t’i jepen 30 ditë për t’iu përgjigjur mocionit të mbrojtjes dhe Trupi Gjykues do të ketë nevojë për pak kohë për të vendosur mbi të”, deklaroi për IndeksOnline zëdhënësi i Dhomave të Specializuara, Michael Doyle.

Doyle pohon se pas vendimit të Trupit Gjykues, avokatët e viktimave do të paraqesin çështjet e tyre.

Këta të fundit i kanë njoftuar Dhomat e Specializuara se do t’iu nevojiten 1 apo 2 javë për të bërë këtë gjë.

“Më pas, do të duhet të shohim se sa kohë do t’i duhet mbrojtjes për t’u përgatitur për çështjet e tyre dhe për të paraqitur çështjet e tyre”, shtoi Doyle.

Ditë më parë u refuzuan deklaratat e dëshmitarit të 29-të të ftuar nga Prokuroria Speciale, i cili deklaroi me identitet të mbrojtur.

Nga ana tjetër, Zyra e Prokurorit të Specializuar propozoi redaktimin e transkriptave të një pjese të dëshmisë së dëshmitarit të 125-të, i cili deklarimin e tij me identitet të mbrojtur e bëri më 27 mars të këtij viti.

Aktakuza e konfirmuar ndaj ish-krerëve të UÇK-së u dorëzua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 30 shtator të vitit 2022. Aktakuza fillestare përbëhej nga 10 pika me akuza, që përfshinin akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Shpërndaje në

U Kopjua