Deputetët e zgjedhur do të provojnë për të 19-ën herë me radhë, ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës.
Seanca e para 48-orësh dështoi me të njëjtën arsye, pasi nuk u arrit pajtueshmëri për formimin e komisionit për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit.
Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon të insistojë me kandidaten e saj për këtë post, Albulena Haxhiun.
Të gjitha zhvillimet rreth seancës së sotme mund t’i ndiqni direkt në Klankosova.tv
“Le të më sfidojnë” – Zemaj komenton deklaratën e Kurtit: Demagogji për ta shpëlarë veten
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj as sot nuk pret ndryshime gjatë seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e 19-ta me radhë.
Para mediave, ai tha se Albin Kurti nuk është i interesuar për formimin e institucioneve.
“Kurti u ka shërbyer militantëve të Facebook-ut, dhe kjo është gjendja ekonomike dhe integruese e Ksoovës me këtë qeveri e cila do të duhej të ishte në dorëheqje, por s’po dihet a janë deputetë, ministra apo kryeministra”.
Zemaj poashtu komentoi deklaratën e fundit të Kurtit në televizionin publik, ku tha se i ka votat për qeveri dhe ftojë opozitën ta sfidojë me votimin e kryetarit të kuvendtit.
“Këto lojë fjalësh janë të dëmshme edhe për vetë procesin, nëse ai i ka 61 pse nuk e zgjedhin kryetarin. Kjo është demagogji për ta shpëlarë veten. Nëse i ka 61 deputetë të gatshëm për të zgjedhur kryetarin, atëherë mund të ndodhë, por kjo nuk po ndodh, s’janë numrat”, deklaroi Zemaj, njofton Klankosova.tv.
Izmaku: Numrat nuk e përcaktojnë gjithmonë rëndësinë, por peshën që e ka një lider
Deputetja e betuar nga radhët e Nismës Social Demokratike, Xhevahire Izmaku, ka folur para mediave para tentimit të 19-të për konstituimin e Kuvendit.
Ajo para mediave deklaroi se në Kosovë nuk kanë qenë gjithmonë numrat që e kanë përcaktuar rëndësinë, por peshën që e ka një lider.
“Siç e pamë njoftimin, është një fazë kur ende nuk do të kemi votim politik por ende po votohet për procedura. Nuk ka një ndryshim apo vendimmarrje të re, po presim që ndoshta nga diskutimet tona të brendshme të kemi diçka që do të përfshijë diçka më konkrete”, deklaroi ajo para mediave.
VV-ja edhe sot tenton t’ia sigurojë votat Haxhiut përmes votimit të fshehtë
Pas pak minutash pritet të nisë seanca e 19-të konstituive e Kuvendit të Kosovës.
Edhe sot, në vazhdimin e kësaj seance do të tentohet që kandidatja e partisë fituese, Albulena Haxhiu t’i marrë votat përmes komisionit me votim të fshehtë, njofton Klankosova.tv.
Kështu ka njoftuar deputeti i kësaj partie, Faton Peci para se të futej në Parlament.
Bahtiri për bllokadën politike: Papërgjegjësi totale e deputetëve që zgjodhi populli
Deputeti i VV-së, Agim Bahtiri para fillimit të seancës konstituive për herë të 19-të, tha se është papërgjegjësi totale e deputetëve që ka zgjedhur populli.
Ai tha se gabimi që po bëhet mes partive është që nuk ia shtrijnë dorën njëri-tjetrit.
“Mendoj se është papërgjegjësi totale e deputetëve që i ka zgjedh populli. Thirrja ime çdo herë ka qenë që të zotërojmë atë që kemi menduar dhe kemi paraqitur para popullit dhe të marrim vendime në të mirë të qytetarëve pavarësisht cilës parti i takojnë. Populli na zgjodhi aq sa na zgjodhi, ne duhet të gjejmë një zgjidhje përfundimtare për ta qeverisur këtë vend”, tha Bahtiri, njofton Klankosova.tv.
“Gabimi i madh që po bëhet mes partive politike është që nuk ia shtrijnë dorën njëri-tjetrit, të gjithë. Derisa VV-ja për të zgjedhur organet, mendoj se ka një përparësi në aspektin e dëshirës për t’i zgjedhur. Për kompromise jemi të gatshëm, LDK-së i kërkuam që ta bëjmë bashkë një qeveri. Ne jemi në dispozicion 24 orë”, deklaroi tutje Bahtiri.