Live

Vetura e një qytetari qëllohet nga ajri në Gjilan, dyshohet se është plumb qorr

08:42 / 02 Maj 2025

Nga Kosova Live

Rastet kur qytetarët përballen me situata të rrezikshme në rrugët e vendit po bëhen gjithnjë e më shqetësuese. Përveç aksidenteve dhe incidenteve të zakonshme, ka edhe raste të pazakonta që ngritin shqetësime serioze për sigurinë publike.

Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmjën e të enjtes në fshatin Hodonoc të komunës së Gjilanit, ku një automjet është goditur nga një predhë e dyshuar, e cila dyshohet se ka ardhur nga ajri.

Siç mëson Kosovalive, ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:30, ku një 28-vjeçar, ka raportuar në Polici se derisa po udhëtonte me veturën e tij të tipit Audi A4 nga fshati Rogoqicë në drejtim të Hodonocit, pranë pompës së derivateve “Veda Petrol”, ka dëgjuar një krismë të fortë dhe ka ndaluar menjëherë për të parë çfarë ka ndodhur.

Sipas dëshmisë së tij në Polici, menjëherë ka vërejtur se një predhë, që dyshohet të jetë e kalibrit 9mm, kishte goditur pjesën e përparme të veturës së tij, duke shkaktuar dëme materiale, por fatmirësisht pa lëndime në njerëz.

Me të marr vesh rastin, menjëherë kanë dalë njësitet patrulluese dhe ekipi i forenzikës, të cilët kanë kryer ekzaminimet e nevojshme dhe kanë marrë deklaratat nga ankuesi dhe dëshmitarët.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori për krime të rënda, i cili ka urdhëruar që të iniciohet procedura hetimore me veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Rasti i është referuar Njësisë së Hetimeve për trajtim të mëtejmë.

Gazeta Kosovalive do të sjellë detaje të reja sapo ato të konfirmohen.

Shpërndaje në

U Kopjua