Live

Vuçiq foli për herë të parë pasi u shtrua në spital, paraqitjen nuk mund ta bënte pa ‘dramë’

07:55 / 05 Maj 2025

Nga Kosova Live

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është deklaruar për herë të parë pas ndërprerjes së papritur të vizitës në SHBA për shkak të dhimbjeve në kraharor, pas së cilës u kthye menjëherë në Serbi.

Vuçiq u paraqit në Instagram duke e mbuluar situatën me fjalë patetike: “Duke filluar nga kjo javë, do të ecim me vetëbesim, me besim në zemrat dhe shpirtrat tanë, sepse askush nuk mund ta ndalë një Serbi që krijon, ndërton dhe ëndërron. Kemi kaluar vështirësi, kemi hasur pengesa, por ato nuk na thyen. Nuk mundën, sepse ëndrrat e një populli që beson në punë, ndershmëri dhe dashuri për vendin nuk mund të shkatërrohen. Krenaria, dinjiteti dhe besimi në një të nesërme më të mirë na kanë udhëhequr gjithmonë! Prandaj vazhdojmë së bashku drejt qëllimit, unë eci përpara jush për të qenë mburojë, për të luftuar dhe për të dhënë gjithçka për vendin që e dua. Të gjithë duhet të ecim përpara për Serbinë – së bashku, fuqishëm, të palëkundur. Rroftë Serbia”, përfundoi Vuçiq mes toneve patetike që më shumë duken si mbulim politik sesa sqarim real i situatës.

Ndërkohë, të gjithë mediat pro-regjimit që ndodheshin në Florida raportuan se presidenti serb ishte kthyer urgjentisht në vend pasi i ishte përkeqësuar gjendja shëndetësore gjatë pasdites me kohën lokale në SHBA. Megjithatë, zyra e tij ende nuk ka publikuar një deklaratë zyrtare për shëndetin e Vuçiqit.

Nga ana tjetër, zyrtarë të opozitës serbe kanë hedhur dyshime mbi arsyen zyrtare të këtij kthimi të papritur. Nënkryetari i Partisë së Lirisë dhe Drejtësisë (SSP), Borko Stefanoviq, tha se “vizita private e Vuçiqit në Majami përfundoi në një fiasko të plotë”, ndërsa kreu i partisë Serbia Qendra, Zdravko Ponosh, ironizoi duke thënë se Vuçiq “përfundoi duke puthur derën, ndonëse priste të puthte dorën e Trumpit”.

Kjo vizitë, që u paraqit fillimisht si përpjekje për të forcuar marrëdhëniet ndërkombëtare të Serbisë, duket se ka përfunduar si një tjetër tur i pasuksesshëm personal i presidentit serb, i cili, përkundër retorikës boshe dhe populiste në rrjete sociale, nuk arriti as takim, as ndikim real në skenën ndërkombëtare.

Shpërndaje në

U Kopjua