Deklaratat e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës për faktin se të gjithë ata që vendosin të hyjnë në Kosovë pa autorizim, gjegjësisht pa leje do të arrestohen, kanë hasur në reagimin e presidentit serb gjatë mbrëmjes së djeshme. “Në fund do të shohim kush kë do ta arrestojë”, “kërcënon” Vuçiqi nga Nju Jorku.
Pas raundit të dialogut të nivelit të lartë të javës së kaluar në Bruksel, presidenti serb, duke iu përgjigjur pyetjeve të një gazetari, paralajmëroi mundësinë e vizitës së tij në Graçanicë, por, siç tha ai vetë, nëse i lejojnë hyrjen.
Pikërisht këtë deklaratë e ka komentuar ministri i brendshëm i Kosovës, pra ka folur për pasojat e hyrjes pa leje.
Ai ka thënë se kushdo që hyn pa autorizim në Kosovë do të arrestohet, përfshirë edhe presidentin serb, transmeton Paparaci.
“Pasoja është se thjesht nuk keni shtet nëse kreu i një shteti tjetër hyn në territorin tuaj pa leje”, ka thënë Sveçla, ndërsa njëkohësisht ka shtuar se “nuk beson që Vuçiq është aq i çmendur sa të vijë në Kosova pa leje”.
Ai ka saktësuar se për dhënien e lejes së hyrjes vendos Zyra e kryeministrit të Kosovës.
“Për leje – te kryeministri, pa leje, te unë”, ka theksuar ky ministër, përcjellë ATV.
Presidenti serb është pyetur mbrëmë për pretendimet e Sveçlës.
“Djalin ma kanë keqtrajtuar, mua duan të më arrestojnë. Do të shohim kush kë do ta arrestojë dhe si do të duket kjo”, ka thënë Vuçiq.
Më pas ka vazhduar duke tentuar të bëhet ironik.
“Është një mëkat i tmerrshëm kur dikush dëshiron të shkojë në shenjtëroren e tij, në liturgji dhe të flasë me njerëzit e tij. Kjo është arsyeja e vërtetë e arrestimit dhe flet për natyrën e tyre demokratike dhe për ata që i mbështesin. Por mirë, në fund do të shohim kush kë do ta arrestojë… populli ynë thotë – qesh mirë ai që qesh i fundit”, ka thënë Vuçiq, duke shpjeguar se fjala e duhur është “përfundimisht i fundit”